Komandanti i KFOR-it takon shefin e ushtrisë shqiptare, flasin për sigurinë në Kosovë dhe rajon
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka pritur të mërkurën në takim shefin e shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.
Gjatë takimit, gjeneralët kanë shkëmbyer pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin më gjerë.
“Gjenerali Ulutash shprehu gjithashtu vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vlefshëm të Shqipërisë në misionin KFOR”, ka njoftuar KFOR-i.
KFOR-i ka përsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.





