Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ngushëllon familjen Mustafa me rastin e vdekjes së Jahja Mustafës
Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, me dhembje të thellë, ka pranuar lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Jahja Mustafës, babait të Salih Mustafës, ish-i burgosur politik.
Salih Mustafa ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut e Serbisë në vitin 1993 me pesë (5) vite burg për arsye politike. Më vonë, ai u dënua edhe nga Gjykata Speciale në Hagë fillimisht me 36 vite burg, dënim i cili u ul në 26 vite dhe më pas në 15 vite burg efektiv. Megjithëse dënimi është konfirmuar nga e njëjta gjykatë, Shoqata jonë vlerëson se mbajtja e tij në paraburgim përbën një dënim me karakter politik.
Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës shpreh shqetësim të thellë për gjykimet e padrejta që po u bëhen përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për vepra penale që, sipas nesh, nuk janë të vërtetuara as juridikisht dhe as faktikisht. Po ashtu, reagojmë fuqishëm kundër shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut ndaj të burgosurve shqiptarë në burgun e Hagës, duke krijuar përshtypjen se kjo gjykatë nuk vepron mbi parimet universale të drejtësisë.
Në këtë kontekst, Shoqata e konsideron të papranueshëm refuzimin e kërkesës së Salih Mustafës për t’u liruar përkohësisht me qëllim që ta vizitonte babain e tij në prag të vdekjes. Kjo kërkesë u refuzua nga kryetarja e Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në kundërshtim me parimet themelore humane dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Krimet e kryera në Kosovë gjatë periudhës 1912–1999 janë kryer nga regjimet kriminale serbe dhe jugosllave me aparatin e tyre shtetëror dhe ushtarak. Pikërisht për këtë arsye, populli shqiptar i Kosovës gëzoi mbështetjen politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Jahja Mustafa ishte krenar për veprimtarinë politike dhe ushtarake të djalit të tij, Salih Mustafës, i cili u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftoi për çlirimin e atdheut nga pushtimi jugosllavo-serb gjatë viteve ’90.
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Mustafa, miqve dhe dashamirëve, e në veçanti Salih Mustafës, për humbjen e babait të tij.
I qoftë i lehtë dheu Jahja Mustafës.
Prishtinë, 25 dhjetor 2025
Shefik Sadiku
Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës



