Pjesëtarë të FSK-së kthehen pas trajnimit me britanikët në xhunglat e Belizes, i pret komandanti
Pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me njësitë Parashutiste nga Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar kanë përfunduar me sukses një trajnim intensiv në xhunglat tropikale në Belize. Trajnimi ishte si pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse.
“Trajnimi kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme. Gjatë stërvitjes, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme – elemente që testojnë çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore”, ka njoftuar FSK-ja.
Në një njoftim, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur kontingjentin e FSK-së që ishte pjesë e këtij trajnimi dhe i përgëzoi për sukseset e treguara në këtë trajnim sfidues.
“Ky aktivitet përforcoi disiplinën, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin mes pjesëtarëve, duke dëshmuar aftësinë e tyre për të vepruar me profesionalizëm dhe vendosmëri në çdo mjedis operacional”, ka njoftuar FSK-ja.



