Këshillit Prokurorial i kërkohet ta rishqyrtojë vendimin për anulimin e konkursit për prokurorë të rinj

26 dhjetor 2025 | 16:34

Një grup i kandidatëve që kanë qenë në garë për prokurorë të shtetit, kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), që ta rishqyrtojë vendimin për anulimin e konkursit dhe procesit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit.

Këshilli Prokurorial në takimin e 280-të të mbajtur më 11 dhjetor 2025 kishte anuluar procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, pikë e cila ishte trajtuar me dyer të mbyllura për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, një grup i kandidatëve për prokurorë të shtetit, kishin reaguar ndaj këtij vendimi, duke kërkuar rishqyrtim të tij dhe njoftuan për hapa që do të ndërmarrin lidhur me përgjegjësi eventuale penale pas vendimit për anulim të këtij procesi.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën të cilën kandidatët për prokurorë të rinj, ia kanë dërguar anëtarëve të Këshillit më 26 dhjetor, me të cilën kanë kërkuar rishqyrtimin ex officio, të vendimit të KPK-së, për anulimin e procesit për rekrutimin e prokurorëve të rinj.

Në letër thuhet se kërkesa është parashtruar mbi bazën e bindjes së arsyeshme se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me parimet themelore të procedurës administrative, me dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik dhe me vetë standardet rregullative që Këshilli është i obliguar t’i zbatojë dhe t’i mbrojë.

Aty thuhet se ky vendim nuk ofron elaborim të qartë të bazës faktike dhe juridike, krijon paqartësi në aplikimin e dispozitave përkatëse ligjore dhe nuk reflekton një analizë reale të proporcionalitetit ndërmjet interesit publik të pretenduar dhe masës ekstreme të anulimit të tërësishëm të procesit.

Këshillit i kërkohet që ta rishqyrtojë vendimin, të sqarojë detajisht bazën faktike dhe juridike të tij dhe të eliminojë mangësitë thelbësore të arsyetimit, duke rivendosur standardet e ligjshmërisë, transparencës dhe paanshmërisë në një proces me rëndësi të lartë publike.

“Në këtë kuptim, nëse gjatë zhvillimit të procedurës kanë ekzistuar parregullsi (siç pretendon Vendimi), ato duhet të identifikohen dhe të trajtohen në mënyrë konkrete dhe të verifikueshme, duke përcaktuar qartë natyrën e tyre, fazën ku kanë ndodhur, si dhe përgjegjësinë institucionale dhe individuale për to, me qëllim që të ndërmerren masat adekuate ndaj personave përgjegjës”, thuhet në parashtresë.

Sipas kandidatëve, vendimi nuk sqaron se cilit regjim juridik i nënshtrohet rasti konkret: pra nëse procedura e rekrutimit ose ndonjë akt i veçantë administrativ i ndërmarrë gjatë kësaj procedure është konsideruar i paligjshëm në kuptim të nenit 54, apo ka qenë i ligjshëm në kuptim të nenit 56.

Referimi në nenin 54, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të Ligjit për Procedurën Administrative, duke pretenduar se “objekti i tillë administrativ është ligjërisht ose materialisht i pamundur”, në shkresë thuhet se nuk mbështetet në rrethana faktike të rastit konkret e as në kuptim juridik që kjo dispozitë e ka.

Në rastin konkret, thuhet se vendimi nuk identifikon asnjë veprim, fazë apo detyrim të vendosur gjatë procedurës së konkursit.

Më tej, theksohet se procesi i rekrutimit ishte jo vetëm i mundshëm në aspektin material, por kishte filluar dhe ishte zhvilluar realisht deri në fazën e intervistimit të kandidatëve.

“Për rrjedhojë, referimi në nenin 54, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 të LPPA-së është i pabazuar, i gabuar në interpretim dhe i papërshtatshëm për rrethanat konkrete të rastit”, thuhet në këtë letër.

Edhe aplikimi i nenit 56 të LPPA-së, kandidatët thonë se ishe i gabuar, me arsyetimin se anulimi i tërësishëm i këtij konkursi nuk vshtë nv asnjë mënyrë dobiprurës për të gjitha palët. Por, thuhet se ky anulim prodhon pasoja të rënda për kandidatët e kësaj kërkese, të cilët kanë investuar kohë të konsiderueshme dhe përpjekje për përgatitje profesionale, në një procedurë administrative që kishte arritur në një fazë të avancuar.

Gjithnjë sipas shkresës, vendimi i KPK-së nuk sqaron nëse parregullsitë e supozuara janë trajtuar individualisht, e as se në cilatt faza të procedurës pretendohet se kanë ndodhur këto parregullsi.

“Parimi i proporcionalitetit kërkon që, në rast të konstatimit të parregullsive procedurale, reagimi institucional të orientohet drejt sanimit të mangësive dhe vendosjes së përgjegjësisë individuale, e jo drejt penalizimit kolektiv të të gjithë kandidatëve për shkak të parregullsive të paindividualizuara”, thuhet më tej.

Kandidatët pretendojnë se në vendim nuk identifikohen aktet apo veprimet konkrete procedurale që pretendohet se kanë qenë në kundërshtim me parimet e rregullores, e as personat apo strukturat përgjegjëse për këto veprime.

Aty thuhet se nëse eksizojnë shkelje që cenojnë parimet bazë të procesit të rekrutimit, do duhej të pasyrohej qasja e Këshillit në adresimin e tyre, përfshirë identifikimin e përgjegjësisë institucionale dhe individuale, si dhe masat e ndërmarra apo të planifikuara për të garantuar integritetin e procedurës.

“Një vendim që deklaron ekzistencën e “parregullsive”, pa treguar se si janë konstatuar dhe pa sqaruar përgjegjësinë për to, nuk krijon transparencë, por e cenon atë dhe e vështirëson kontrollin e ligjshmërisë së vendimmarrjes”, thuhet në letër.

Më tej, thuhet se ky vendim nuk paraqet në mënyrë të qatë dhe të potë gjendjen faktike mbi të cilën është bazuar, nuk identifikon dhe shpjegon provat apo burimet e informacionit që pretendohet se kanë vërtetuar “parregullsitë”, si dhe nuk pasqyron vlerësimin konkret të këtyre provave nga ana e Këshillit.

Ky veprim i Këshillit, kandidatët pretendojnë se është shqetësues, duke pasur parasysh rolin dhe misionin e KPK-së si institucion kyç i sistemit të drejtësisë, i cili duhet të shërbejë si shembull i standardeve të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies, e jo të krijojë praktika që minojnë besimin në proceset institucionale dhe në vetë parimin e sigurisë juridike.

Po ashtu, në letër thuhet se në vendim përjashtohet mundësia e ushtrimit të mjeteve juridike administrative dhe gjyqësore nga ana e kandidatëve, gjë që, sipas tyre është në kundërshtim me nenin 13 të LPPA-së. Andaj, thuhet se ky mohim i kësaj të drejte jo vetëm që është antiligjor, por edhe cenon parimet themelore kushtetuese që qasjes në drejtësi dhe mbrojtjes efektive juridike.

Gjithashtu, kandidatët potencojnë se vendimi për anulimin e konkursit u mor në kuadër të mbledhjes me dyer të mbyllura për publikun, duke shtuar se nuk ekzistonte asnjë bazë ligjore për mbylljen e saj. Me këtë, vlerësohet se shkelet parimi i transparencës dhe cenohet besimi i publikut dhe palëve të interesuara në vendimmarrjen e Këshillit.

Kandidatët theksojnë se në procesin e vendimmarrjes ka marrë pjesë një anëtar i KPK-së, djali i të cilit ka qenë kandidat në këtë konkurs, por që nuk ka arritur ta kalojë fazën e testit kualifikues, kështu që është diskualifikuar. Ata thonë se pavarësisht faktit se kandidatura e familjarit të këtij anëtari nuk ka vazhduar në fazat e mëvonshme të procedurës, kjo rrethanë objektivisht përbën situatë të konfliktit të interesit.

Në shkresë, kandidatët kanë vlerësuar se pjesëmarrja e këtij anëtari në procesin e votimit, cenon parimin e paanshmërisë dhe krijon dyshim të arsyeshëm mbi objektivitetin e vendimmarrjes.

Andaj, këta kandidatë bazuar në të gjitha të lartpërmendurat, kanë ardhë në përfundim se ky vendim është nxjerrë në rrethana që ngrejnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë, proporcionalitetin, paanshmërinë dhe arsyetimin e tij.

“Vendimi nuk përmbush standardet minimale të arsyetimit dhe të zbatimit të drejtë të ligjit, karakterizohet me paraqrtësi në bazën ligjore të aplikuar, nga ushtrimi disproporcional i diskrecionit administrativ dhe nga mosadresimi i rrethanave të konfliktit të interesit gjatë vendimmarrjes, çka ndikon drejtpërdrejt në ligjshmërinë e tij”, thuhet në këtë letër.

Kështu, kandidatët thonë se ekzistojnë baza të fuqishme ligjore që KPK-ja ta rishqyrtojë vendimin, dhe kërkojnë të futet në rend dite dhe të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit më 29 dhjetor, me qëllim që të jepet një arsyetim i plotë, i qartë dhe i argumentuar në aspektin faktik dhe juridik, si dhe të shqyrtohet mundësia e vazhdimit të procesit të rekrutimit, ose eventualisht sanimit përmes adresimit individual të parregullsive të supozuara dhe vendosjes së përgjegjësisë përkatëse.

Në fund, kandidatët paralajmërojnë se në rast se këto çështje të ngritura nga ata nuk adresohen, do të shfrytëzojnë mjetet juridike të parashikuara me legjislacionin në fuqi, për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre ligjore. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka shkruar në…