ÇKA TASH?!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Zgjedhje me asnjë të panjohur: Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fitues absolut te shqiptarët është LV-ja përkatësisht Albin Kurthi kurse te serbët është Lista Serbe përkatësisht Aleksandar Vuçiqi. Humbës janë LDK-ja, PDK-ja dhe të gjithë ata që, në një mënyrë apo tjetër kanë sakrifikuar për këtë liri dhe këtë copë shtet që e kemi. Nuk thuhet kotë se idealistët e bëjnë luftën kurse maskarenjtë e marrin pushtetin! Nëse i bëhet një skanim kohës dhe proceseve, që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot lehtësisht vërtetohet thënia e mësipërme. Në Shqipëri atdhetarët që e shpallën pavarësinë u përndoqën, deri në asgjësim nga komunistët e Beogradit përmes piunit të tyre, Enver Hoxhës në Shqipëri. Shumica e atdhetarëve në Shqipëri, ose u vranë ose u arrestuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Prandaj nacionalizmi dhe atdhetarët, deri më sot nuk e morën veten në Shqipëri. “Atdhetarët” e sotëm në Shqipëri, në me krye Sali Berishën janë “bruto prodhim” i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shokut Enver.
Edhe në Kosovën pas luftës së dytë botërore ishte i njëjti film; nacionalistët dhe atdhetarët shqiptarë u vranë dhe arrestuan nga komunistët jugosllavë dhe serbë përmes atyre që flisnin shqip si: Fadil Hoxha, Ali Shukria, Kolë Shiroka etj. Sot, vazhdimësia e tyre politike dhe kombëtare janë në pushtet në Kosovë. Pjesa dërrmuese e tyre, gjithsesi.
Pse ndodhi kështu: Nëse nuk keni investuar asgjë për liri dhe pavarësi, nuk ia dini vlerën, shtetin e shfrytëzoni si mundësi për të marrë pushtet. Çdo gjë që keni e shfrytëzoni për marrje dhe mbajtje të pushtetit. Këtë e bëri pikërisht VV-ja që nga zgjedhjet e para. Kur e fitoi pushtetin absolut (për faje të opozitës që e rrëzuan qeverinë në kohë të pandemisë) në vitin 2021, VV-ja nuk la gjë pa bërë për të krijuar një infrastrukturë për të fituar zgjedhjet e radhës përmes shpërdorimit të buxhetit për blerje të votave. Kjo sidomos u theksua në zgjedhjet e 28 dhjetorit ku, brenda një kohe të shkurtër u futën në lojë mbi 300 milionë euro për kategoritë që potencialisht përbëjnë afërsisht 450.000 votues (studentë, prindër të fëmijëve dhe pensionistë). Kur kësaj i shtohen biletat e aeroplanit dhe mjeteve tjera të transportit të siguruara për diasporën nga qeveria dhe burimet tjera informale, trupi votues bëhet edhe më i madh. Propaganda e rreme populiste dhe “patriotike” te votuesit josakrifikues pati efektin e kompensimit të asaj që kurrë nuk e kanë pasur – dashurinë për kombin dhe atdheun. “Çlirimi” i Veriut ishte karremi tjetër për votuesit e painformuar. Vazhdoj të jem i sigurt se pikërisht veriu është “Thembra e Akilit” për Kosovën dhe se çdo marrëveshje me Serbinë, veriu paraqet xhoker dhe Kosovës do t’i varet si Shpata e Demokleut mbi qafë. Krahasimi i opozitës me Listën Serbe në kohën kur VV-ja kurrë nuk e ka ndalë bashkëpunimin përmes sekseres Kusari ka ndikuar shumë në rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Bllokimi i qëllimshëm i formimit të institucioneve nga VV-ja sikur edhe i marrëveshjeve ndërkombëtare, gjithashtu nga VV-ja nuk u shfrytëzua nga opozita prandaj VV-ja e shfrytëzoi këtë për ta fajësuar opozitën dhe votuesit e pranuan këtë. Presidentja Vjosa Osmani 100 për qind ishte në shërbim të Kurthit dhe kundër opozitës sidomos kur caktoi, me kërkesë të Kurthit 28 dhjetorin. Opozita do të duhej ta refuzonte këtë datë me çmim edhe të bojkotimit të zgjedhjeve. Një opozitë e përgjegjshme do ta votonte kryetarin e Kuvendit të propozuar nga VV-ja që në seancën e parë sikur edhe qeverinë për t’u përgatitur për zgjedhjet e vitit 2026.
Edhe PDK-ja dhe LDK-ja kanë bërë fushatë civilizuese dhe kanë pasur oferta të mira për votues që e duan zhvillimin dhe ardhmërinë. Mirëpo nuk kanë pasur resurse materiale për blerje të votave si VV-ja. Oferta e opozitës ka qenë për njerëz dhe votues të arsyeshëm, pjesa më e madhe e votuesve ishin kundër këtyre propozimeve, kundër arsyes, interesave të vendit dhe votën e shitën për 100 euro apo për një biletë aeroplani. Pasojat do t’i shohim më vonë kur të fillojë implementimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit që e federalizon Kosovën. Kurthi bëri një hap për afrimin me LS kur tha se kjo është parti politike e jo organizatë terroriste. Gjithashtu tha se ky është viti i normalizimit me Serbinë. Do të veprojë si me tokat që iu falen Manastirit të Deçanit. Si lakuriq i natës, bashkë me lakuriqen Shvarc brenda natës e bartën pronën duke e shitur si sukses. Kështu do të veprojë edhe me lëshimet e radhës që do të detyrohet t’i bëjë në emër të ruajtjes së pushtetit. Nuk do të ketë tjetër mundësi. Mund të taktizojë dhe blejë kohë deri sa të ketë luftë në Ukrainë, në Gaza apo Iran. Jo përtej saj.
Çka duhet të bëjë opozita: Po të ishte një opozitë angazhuese dhe aktive, shkaku i skandaleve, keqpërdorimeve, varfërimit të skajshëm, Mafias Energjetike, ndërhyrje në punën e Prokurorisë, Gjykatave, asaj Kushtetuese në veçanti, nepotizmit, kapjes së çdo bordi, institucioni a ndërmarrjeve e shumë të tjera, opozita do duhej të protestonte 24 orë, çdo ditë të lume.
Opozita do të duhej t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare pa pasur nevojë të takohet me Kurthin.
Opozita nuk do të duhej që në asnjë mënyrë a formë të bëhet pjesë e “bisedimeve” me Serbinë. Realisht as që do të ketë bisedime që mund ta ndryshojnë përmbajtjen e marrëveshjeve, do të ketë “bisedime” për zbatim të këtyre marrëveshjeve .
Opozita mund të provokojë zgjedhje në fillim të vitit 2026 nëse refuzon ta bëjë kuorumin për Vjosa Osmani. Kjo mundësi është në dorën e opozitës nëse vlerëson si të drejtë. LDK-ja gabimin më të madh e ka bërë me rastin kur ia siguroi kuorumin Vjosa Osmanit e cila pastaj edhe me votat e LS-së – e u zgjodh presidente. Askush nuk e ka dëmtuar LDK-në si Vjosa Osmani dhe Donika Shvarc duke e ndarë partinë në dysh dhe duke ia dhuruar Kurthit 100.000 vota të LDK-së si pajë elektorale.
Nuk kam besuar se VV-ja fiton mbi 43 deputetë dhe se LDK-ja rrënohet aq shumë. Po ndodhi! Ky rezultat më shumë është barrë për VV-në se për opozitën.
Gjithashtu, kurrë nuk kam besuar se ata që më shumë përshurrën gjak se shurrë në burgjet jugosllave, që mblidhnin dhëmbët e thyer nga torturat e paraardhësve të një pjese të këtyre që janë në pushtet dhe votuesve të tyre, se me muaj nuk i mbathnin këpucët që nga rrahjet brutale iu bënin si shputa të elefantit, që dilnin të gjymtuar seksualisht dhe fizikisht nga bastardët shqipfolës udbash të djeshit, pushtetarë të sotëm si vazhdim i valëzimit brutal antikombëtar do të përjetojnë kthimin në qeverisje të ish dhunuesve të tyre. Mos të flasim për mbijetuesit e masakrave, dhunimeve, të të zhdukurve gjatë luftës së fundit! Këta janë maskarenjtë e padënuar, nga Kurthi të graduar!
Aspak nuk i besoj Albin Kurthit kur thotë se do të bisedojë me opozitën për vota për president. Ai do të bëjë çdo gjë për ta rizgjedhur Vjosa Odmanin presidente. Ku gjen më të bindur, më të paskrupullt dhe më manipuluese?! Përfituese ordinere! Vrasëse e porositur nga Kurthi për elimiminimin final të LDK-së. Bashkë me shpendkeqen Shvarc, e zezë si korb shpirtërisht.
Rezultati i zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të kundërshtohen. Duhet të kundërshtohen pasojat që mund të prodhohen nga këto zgjedhje. Nëse Sali Berisha gati 80 vjeç po bënë opozitë aktive pse këtë nuk e bëjnë “tereqët” opozitarë duke u majmur në zyra!
Nuk ka tregues më të mirë të qëndrimit të popullit dhe politikanëve se që çfarë qëndrimi mbajnë ndaj sakrifikuesve biblikë siç ishin Bacë Adem Demaçi dhe komandanti legjendar Adem Jashari. Të parin thuaja nuk e përmendin fare kurse të dytin gjatë fushatave zgjedhore dhe ndërtimit të ndonjë hoteli monumental në qendër të Prishtinës!
Aty ku vdesë idealizmi, kurrë nuk lind patriotizmi!



