Haradinaj: Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit të Kurtit (video)
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç i ka quajtur ai, lojërave politike përmes takimeve me kryeministrin Albin Kurti.
Haradinaj ka thënë se Aleanca ka ngritur çështje që lidhen me energjinë, tenderët njëburimorë dhe ndërhyrjet e pretenduara në prokurori, gjyqësor dhe institucione të pavarura.
Sipas tij, Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën në sektorin e energjisë dhe për atë që ai e ka cilësuar si abuzim me tregtinë e energjisë.
“Aleanca s’u bë pjesë e lojërave me takime me Kurtin. Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën me energjinë, për abuzimet me tregtinë e energjisë. Kemi ngritur zërin për tenderët njëburimorë, për ndërhyrjet në prokurori, në gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit”, ka deklaruar ai në një video të publikuar në “Facebook”.
Duke folur për sulmet ndaj Aleancës, Haradinaj ka thënë se ato nuk kanë të bëjnë me emrin e tij, por me qëndrimin e partisë përballë pushtetit.
“Sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shtuar se Aleanca është treguar e kujdesshme që të mos e keqpërdorë tragjedinë e askujt dhe se, sipas tij, ka ruajtur vlerat e familjes shqiptare.
Haradinaj ka pretenduar se sulmet dhe shpifjet ndaj partisë së tij po përdoren nga frika se qytetarët mund të dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë.
“Asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”, ka përfunduar Haradinaj.



