Përfaqësuesit e komunave të Kosovës në Strasburg, diskutojnë për vetëqeverisjen lokale

28 tetor 2026 | 13:19

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Agim Aliu, nënkryetari Imri Ahmeti dhe drejtori ekzekutiv Sazan Ibrahimi po marrin pjesë në sesionin e 51-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet nga 27 deri më 29 tetor 2026 në Strasburg.

Gjatë këtij sesioni, përfaqësuesit e AKK-së zhvilluan një takim me kryetaren e Kongresit, Gunn Marit Helgesen, dhe sekretarin e përgjithshëm, Mathieu Mori.

Në takim u diskutua për raportin mbi zbatimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, i cili ishte prezantuar më 8 tetor 2026 në Prishtinë. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit, si dhe rëndësisë së tyre për forcimin e vetëqeverisjes lokale në vend.

Përfaqësuesit e AKK-së theksuan se Asociacioni e përdor vazhdimisht Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale si dokument bazë në veprimtarinë e tij lobuese dhe avokuese për mbrojtjen e interesave të komunave.

Sipas tyre, parimet e Kartës shërbejnë si referencë në qëndrimet dhe kërkesat e AKK-së për respektimin e autonomisë lokale, mbrojtjen e kompetencave komunale dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për komunat.

Në takim u diskutua gjithashtu për gjendjen aktuale të pushtetit lokal në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet AKK-së dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, përkrahjen për Asociacionin dhe komunat e Kosovës, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në këtë sesion vlerësohet si mundësi për të paraqitur perspektivën dhe sfidat e komunave në diskutimet evropiane për demokracinë lokale, për të shkëmbyer përvoja dhe për të fuqizuar partneritetin me Kongresin e Këshillit të Evropës.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Asamblistët e PDK-së e kanë lëshuar seancën e 13-të të…