UP-ja nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent

28 tetor 2026 | 12:55

Universiteti i Prishtinës dhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili synon të krijojë një kornizë institucionale ndërveprimi për paralajmërimin e hershëm, parandalimin e fatkeqësive natyrore, reagimin ndaj tyre dhe rimëkëmbjen, duke shfrytëzuar sistemet e përparuara kompjuterike e satelitore të vrojtimit të Tokës.

Me memorandum gjithashtu parashikohet edhe bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe lokale, vendimmarrja e bazuar në të dhëna shkencore dhe angazhimi për përafrimin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të fushave të reagimit emergjent.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shefki Abdullahu.

Universiteti i Prishtinës në shtator 2026 ka fituar një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti KOS-ARISE do të fokusohet në aplikimin e teknikave satelitore dhe të vëzhgimit të Tokës për mbështetjen dhe avancimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.

UP-ja në shërbim të zhvillimit të shoqërisë kosovare dhe së mirës publike tashmë ka marrëveshje aktive me shumë ministri dhe institucione tjera të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kosova do të përfaqësohet me tre xhudistë në Grand Slamin…