Trump i tronditur nga sulmi ndaj rezidencës së Putin: Falë Zotit nuk i dhamë Tomahawk, Ukrainës

29 dhjetor 2025 | 21:41

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar me indinjatë ndaj raportimeve për një sulm të Kievit me dronë me rreze të gjatë ndaj rezidencës shtetërore të presidentit rus në rajonin e Novgorod-it, duke deklaruar se “nuk mund të imagjinonte veprime kaq të çmendura” dhe se, “falë Zotit”, administrata e tij nuk i ka dhënë Ukrainës raketa Tomahawk.

Deklaratat janë bërë të ditura nga Yuri Ushakov, ndihmës i presidentit rus, pas një bisede telefonike mes Vladimir Putinit dhe Donald Trump, raportoi Interfax.

Sipas Ushakov, Putin i ka tërhequr vëmendjen Trump-it se sulmi ka ndodhur menjëherë pas raundit të negociatave në Mar-a-Lago, të cilat pala amerikane i kishte konsideruar të suksesshme.

“Presidenti amerikan ishte i tronditur nga ky mesazh, fjalë për fjalë i zemëruar, dhe tha se nuk mund të imagjinonte veprime kaq të çmendura”, citohet të ketë thënë Ushakov.

Ai shtoi se Trump ka nënvizuar se kjo ngjarje do të ndikojë në qasjen amerikane ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke theksuar se administrata aktuale, siç është shprehur vetë Trump, “fatmirësisht nuk i ka dhënë Tomahawk-e”.

Sipas Interfax, Putin e ka cilësuar sulmin si “akt terrorist shtetëror”, i kryer me përdorim masiv të dronëve me rreze të gjatë, dhe ka paralajmëruar se veprime të tilla nuk do të mbeten pa një përgjigje serioze.

Në të njëjtën kohë, Ushakov tha se Putin ka theksuar se Rusia synon të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët amerikanë për të gjetur rrugë drejt paqes, por ka paralajmëruar se disa nga marrëveshjet e arritura më herët dhe zgjidhjet në formim do të rishikohen pas sulmit.

“Duke marrë parasysh terrorizmin shtetëror të kryer nga Kievi, pala ruse nuk mund të veprojë ndryshe dhe pret që pala amerikane ta kuptojë këtë”, ka deklaruar Ushakov, sipas Interfax.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Lladrovci ka dhënë një mesazh rreth aktualitetit politik, duke…