Pretendimet për fëmijën, familja e Labit nxjerr bisedat me serben
Pas zhurmës së madhe të krijuar në rrjetet sociale lidhur me jetën private të Labinot Rexhës, familja dhe menaxhmenti i tij kanë dalë me një reagim publik, duke publikuar një pjesë të komunikimeve private për të sqaruar opinionin publik.
Në deklaratën e tyre, ata kanë mohuar kategorikisht pretendimet se Rexha ka një fëmijë me një grua me origjinë serbe, duke i cilësuar këto aludime si të pavërteta dhe të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e tij, veçanërisht gjatë qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova”.
Sipas familjes, komunikimi i publikuar dëshmon se çdo kontakt i Rexhës me gruan në fjalë ka qenë i natyrës humanitare. Në mesazhet e bëra publike, ajo i kërkon ndihmë financiare për blerjen e librave të fëmijës së saj, ndërsa Rexha shprehet i gatshëm të ndihmojë në emër të solidaritetit njerëzor.
Për më tepër, në disa nga bisedat përmendet edhe mundësia e një takimi në një ambient publik, konkretisht në një restorant, me qëllim ofrimin e ndihmës së premtuar. Sipas deklaratës, këto mesazhe nuk tregojnë asnjë lidhje personale apo marrëdhënie intime mes palëve.
Në fund të reagimit, familja dhe menaxhmenti theksojnë se publikimi i bisedave private ka qenë një hap i vështirë, por i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe për të ndalur, siç thonë ata, përhapjen e shpifjeve dhe keqinterpretimeve në opinionin publik.






