Nga përvoja në udhërrëfyes akademik: Profesori dhe studiuesi i medias Musa Sabedini promovon në UBT librin për gazetarinë hulumtuese
Në ambientet e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), u zhvillua një ngjarje akademike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin universitar dhe median kosovare: promovimi i librit më të ri të profesorit, gazetarit dhe publicistit Musa Sabedini, i cili po vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin teorik dhe praktik të gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe më gjerë.
Me praninë e rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve, studentëve, studiuesve të medias, si dhe miqve e familjarëve të autorit, u promovua vepra voluminoze “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, një libër i dedikuar studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve dhe profesionistëve të përkushtuar që, edhe në rrethana të vështira, mbeten besnikë ndaj së vërtetës dhe interesit publik.
Ngjarja u karakterizua nga një dialog i hapur akademik ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, ku përveç prezantimit të strukturës dhe përmbajtjes së librit, u diskutuan sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe roli i saj në funksionimin e demokracisë.
Libri u prit me vlerësime të larta nga të pranishmit, duke konfirmuar rëndësinë e tij si një burim referencial për studimin dhe praktikën e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e përgëzoi profesorin Sabedini për botimin e librit, duke e cilësuar atë si një ndër veprat më të rëndësishme dhe më cilësore në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare.
Ndërsa dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, vlerësoi angazhimin profesional dhe kontributin e vazhdueshëm të profesor Sabedinit në ndërtimin e mendimit kritik dhe profesional të studentëve të gazetarisë.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet tradicionale të gazetarisë po tronditen ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë digjitale.
Ai nënvizoi se, ndryshe nga gazetaria tradicionale, ku profesionalizmi ishte më i konsoliduar pavarësisht kufizimeve teknike, gazetaria e sotme online ofron mundësi të shumta, por shpesh e ka zbehur thellësinë dhe rigorozitetin e gazetarisë hulumtuese për shkak të presionit të shpejtësisë dhe fragmentimit të informacionit.
Sipas Zejnullahut, autori me të drejtë e ka strukturuar librin në tri pjesë kryesore:
• pjesa e parë trajton misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, të ilustruara me raste konkrete vendore dhe ndërkombëtare;
• pjesa e dytë analizon ndikimin e gazetarisë së internetit dhe transformimin e profesionit;
• ndërsa pjesa e tretë fokusohet në teknikat moderne të raportimit hulumtues, të përshtatura për epokën digjitale.
Një vlerë e veçantë e librit, sipas recensentit, janë 101 pyetjet dhe udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojë profesionale, literaturë relevante dhe raste konkrete, që përfshijnë dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të gazetarisë hulumtuese.
Duke folur për librin, profesori Musa Sabedini theksoi se kjo vepër përfaqëson kurorëzimin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese. Ai nënvizoi se libri nuk është vetëm manual profesional, por një reflektim i thellë akademik mbi përvojat reale, sfidat, rreziqet dhe dilemat etike të profesionit.

Autori theksoi se përmbajtja e librit mbështetet në një arkiv të pasur profesional, në përvojën e tij akademike si ligjërues në UBT, në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe në punime shkencore të botuara në revista prestigjioze.
Sipas tij, 101 pyetjet dhe udhëzimet përbëjnë thelbin praktik të librit, duke shërbyer si një udhërrëfyes etik dhe profesional për studentët, gazetarët e rinj, por edhe për profesionistët me përvojë.
Profesor Sabedini theksoi se gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë moderne, një mekanizëm thelbësor për zbardhjen e aferave, ndriçimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në një kohë kur presionet politike dhe ekonomike mbi mediat janë në rritje, ai vlerësoi se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si e mirë publike, duke kërkuar mbështetje institucionale, angazhim qytetar dhe integritet profesional.
Libri përfundon me një mesazh të qartë për brezat e rinj të gazetarëve: profesionalizmi, guximi, integriteti dhe përkushtimi ndaj së vërtetës janë kushtet themelore për mbijetesën dhe dinjitetin e gazetarisë hulumtuese.
Për librin dhe profesionalizmin e autorit Musa Sabedini, kanë dhënë kontribut në këtë promovim edhe ish zëvendëskryeministri Hajredin Kui dhe dy kolegët e respektuar Faton Ismajli dhe Betim Musliu.





