MAShTI tërheq 16 licenca të mësimdhënësve

16 janar 2026 | 15:37

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve.

Sipas ministrisë, në një shkollë të Rahovecit janë konstatuar mospërfillje të procedurave ligjore dhe më pas Këshilli Shtetëror për Licencim ka ndërmarrë veprime.

Për këtë, ministrja në detyrë e kësaj ministrie, Arbërie Nagavci ka thënë se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbetet një mekanizëm kyç për garantimin e cilësisë dhe standardeve profesionale në arsim.

“Për këtë arsye, gjatë këtij mandati kemi miratuar legjislacionin dhe udhëzimet e nevojshme dhe janë realizuar takime nëpër komuna në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të zhvillohet me sukses, transparencë dhe në përputhje me standardet përkatëse. Pas inspektimit tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë të Rahovecit është konstatuar mospërfillje e procedurave ligjore. Bazuar në këto gjetje, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përkatëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore ndërsa raporti me gjetje i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit. Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore”, ka shkruar Nagavci në “Facebook”.

Tutje ajo u shpreh se ky veprim dëshmon përkushtim institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të procesve arsimore.

“Ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional. Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standard”, ka  shkruar Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka…