Klinika e Pediatrisë në QKUK: Mbi 44 mijë vizita në emergjencë dhe shfrytëzim maksimal i kapaciteteve

21 janar 2026 | 10:16

Gjatë vitit 2025, Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një nivel të lartë të aktivitetit shëndetësor, duke ofruar shërbime të specializuara dhe kujdes të vazhdueshëm për pacientët pediatrikë nga i gjithë vendi.

Klinika ka funksionuar me 151 shtretër, duke realizuar gjithsej 43,725 ditë mjekimi, me një shkallë mesatare të shfrytëzimit të kapaciteteve prej 79.17%. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 44,698 vizita në Emergjencën e Pediatrisë dhe 20,765 vizita ambulantore specialistike.

Po ashtu, janë evidentuar 7,937 pranime dhe 7,948 lëshime të pacientëve.

Fluksi më i madh i pacientëve është shënuar gjatë muajit dhjetor, kur janë realizuar 4,775 ditë mjekimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve ka arritur në 101.3%. Vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 4,619 vizita në Emergjencën Pediatrike, 740 pranime dhe 819 lëshime, duke reflektuar një ngarkesë të theksuar të shërbimeve shëndetësore.

Duke marrë parasysh faktin se qyteti i Prishtinës nuk ka spital dytësor, Klinika e Pediatrisë në QKUK-së ofron shërbime tretësore për të gjithë territorin e Kosovës, si dhe shërbime shëndetësore dytësore për Prishtinën dhe rrethinën.

Gjatë vitit 2025, Klinika Pediatrike ka ofruar shërbime të specializuara në kujdesin intensiv pediatrik, hemato-onkologji, kardiologji, pulmologji, endokrinologji, gastroenterologji, neurologji, reumatologji, gjenetikë, nefrologji, si dhe në emergjencën pediatrike e cila përbën një nga pikat kryesore të trajtimit urgjent për pacientët pediatrik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet…