Përkushtimi i stafit nuk mund të përdoret për të mbuluar mungesat e sistemit
Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti, profesoreshë dhe ish deputete e Kuvendit të Kosovës
Në Tetorin Rozë, mirënjohja ime shkon për stafin e Onkologjisë, drejtorin dr.Ilir Kurtishi, me ekipin e mjekëve onkologë dhe stafin mbështetës që bëjnë një punë të mrekullueshme në shërbim të pacientëve.
Ishte ora nëntë e mëngjesit dhe në listë kishin tashmë 80 pacientë. Dhe ishte nr 41 me rradhë që po hynte te zyra nr 1.
Dr. Iliri dhe dr.Egzona Sh Bytyqi u shërbenin me buzëqeshje, duke u dhënë, krahas kujdesit, edhe ngrohtësinë njerëzore që në ato çaste ka aq shumë vlerë.
Përkushtimi i stafit të Klinikës së Onkologjisë përherë është lavdëruar. E lavdëruan edhe pacientët me të cilët bisedova në korridoret e kësaj klinike.
Megjithatë, përkushtimi i stafit nuk mund të mbulojë mungesat e sistemit.
Në një fushë kaq jetike, ku nevoja për kuadro është shumë e madhe, shteti duhet të sigurojë personel të mjaftueshëm, kushte dinjitoze dhe punë të paguar.
Vullnetarizmi meriton mirënjohje, por nuk mund të zëvendësojë vendet e nevojshme të punës. Stafi i onkologëve vullnetarë, akoma që nga vera e kaluar, prisnin për kontrata të rregullta pune.
Faleminderit stafit për profesionalizmin, durimin dhe njerëzillëkun!
Të gjithë pacientëve u uroj shëndet, forcë dhe shërim, e familjeve të tyre kurajë në këtë përballje.
Përkushtimi i stafit meriton jo vetëm një falemnderit por mbi të gjitha kërkon mbështetje nga shteti. Sepse janë pacientët ata që meritojnë kujdes të garantuar çdo ditë të vitit.



