E trishtë: Vetëvrasje në tentativë në Gadime, 13-vjeçari e gjen nënën të varur dhe e shpëton në sekondat e fundit
Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, ku një grua dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës.
Sipas informacioneve që ka pranuar Sinjali, rreth orës 22:00, Policia është njoftuar për rastin e dyshuar “Vetëvrasje në tentativë” në rrugën “Ibush Tasholli”, ku viktima R. T., rreth 34-vjeçare është gjetur në gjendje kritike.
Burime bëjnë të ditur se djali i saj 13-vjeçar, i cili ishte edhe ankues në këtë rast, ka deklaruar se e ka gjetur nënën të varur me litar në një WC që ndodhet në oborrin e shtëpisë, dhe ka ndërhyrë menjëherë duke e këputur litarin, duke i shpëtuar jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesia dhe emergjenca, të cilët viktimën e kanë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Pas trajtimit, viktima është intervistuar dhe është dërguar te familjarët e saj në Lipjan, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe është iniciuar procedura për “Vetëvrasje në tentativë”.



