Dy të arrestuar gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale, dyshohen për keqpërdorim me tenderë
Prokuroria Speciale ka arrestuar dy persona gjatë aksionit në Prizren dhe Ferizaj , të dyshuar për keqpërdorim në prokurorim publik.
A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik”.
Në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 26 janar 2026 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z.
A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.
Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër korrupsionit.



