Alarm në VIVA FRESH-in e biznesmenit Rexhepi: AUV zbulon dy baktere në produktet e mishit, urdhëron tërheqjen nga tregu
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Çobani” dhe përshutës së gjedhit, të tregtuara nga rrjeti i marketeve VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e baktereve Escherichia coli dhe Listeria monocytogenes në këto produkte.
Sipas AUV-së, në mishin e bluar “Çobani” është konstatuar tejkalim i vlerës referuese për bakterin Escherichia coli, ndërsa në përshutën e gjedhit është konfirmuar prania e bakterit Listeria monocytogenes, i cili nuk lejohet të jetë i pranishëm në 25 gramë të produktit.
Në komunikatën e saj, AUV ka specifikuar se te mishi i bluar Premium “Çobani”, me lotin nr. 13112147, analizat kanë evidentuar tejkalim të vlerave të lejuara.
Ndërkaq, në përshutën e gjedhit, me lotin nr. 1211695, laboratori ka konstatuar praninë e një bakteri tjetër, Listeria monocytogenes. “Sipas raportit të testimit nr. 5551/2026, është konstatuar prania e bakterit Listeria monocytogenes, në kundërshtim me kriterin mikrobiologjik që përcakton mungesën e këtij bakteri në 25 gramë produkt”, ka njoftuar AUV.
Të dy produktet janë klasifikuar si të pakënaqshme pas rezultateve të analizave laboratorike.
“Rezultatet për të dy produktet janë klasifikuar si të pakënaqshme, në përputhje me Rregulloren Nr. 27/2012 për Kriteret Mikrobiologjike në Produktet Ushqimore dhe Rregulloren Nr. 09/2018 për plotësimin dhe ndryshimin e saj”, thuhet në njoftim.
Delta M dhe Buquku në zinxhirin e furnizimit
Gjatë inspektimit, AUV ka identifikuar edhe furnizuesit e lëndës së parë për këto produkte.
Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë, për mishin e bluar “Çobani”, furnizuesit e lëndës së parë janë Delta M dhe Buquku – Pejë, ndërsa për përshutën e gjedhit furnizues është evidentuar vetëm Delta M.
“Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë të evidentuar gjatë inspektimit, furnizuesit e lëndës së parë janë Delta M dhe Buquku – Pejë”, thuhet në komunikatën e AUV-së për mishin e bluar.
Për produktin tjetër, agjencia ka specifikuar se “sipas dokumentacionit të inspektimit, furnizuesi i lëndës së parë është Delta M”.
Megjithatë, AUV ka bërë të ditur se identifikimi i burimit të kontaminimit kërkon kontrolle të mëtejshme në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe jo vetëm në objektin ku janë përpunuar produktet.
“Për identifikimin e burimit të kontaminimit, kontrollet e mëtejshme duhet të shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë verifikimin e origjinës së mishit, gjurmueshmërinë e lëndës së parë, kontrollet te furnizuesit, si dhe respektimin e kërkesave higjieno-sanitare gjatë përpunimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve”, thuhet në komunikatë.
73.2 kilogramë mish dhe përshutë do të asgjësohen
Pas konstatimit të këtyre mospërputhjeve mikrobiologjike, AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produkteve që u përkasin loteve të kontaminuara.
“Në vijim të këtyre konstatimeve, AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produkteve të loteve përkatëse. Deri më tani janë tërhequr dhe izoluar 35,7 kg mish i bluar dhe 37,5 kg përshutë gjedhi”, ka njoftuar agjencia.
Sasia e përgjithshme prej 73.2 kilogramësh do të asgjësohet nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.
“Sasia e përgjithshme prej 73,2 kg do t’i nënshtrohet procedurës së asgjësimit nën mbikëqyrjen zyrtare të inspektorëve veterinarë”, thuhet në komunikatë.
Në fund, AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë këto produkte me numrat përkatës të loteve që të mos i konsumojnë.
“AUV njofton konsumatorët që kanë blerë produktet me numrat e loteve të sipërpërmendura të mos i konsumojnë ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes”, thuhet në njoftim.
AUV nuk ka bërë të ditur në këtë komunikatë nëse janë evidentuar raste të personave që mund të kenë pësuar pasoja shëndetësore nga konsumimi i këtyre produkteve.
Ndryshe, VIVA Fresh është njëra ndër kompanitë më të mëdha në Kosovë që menaxhon rrjet të madh të supermarketeve. Pronar i VIVA Fresh është biznesmeni Xhevdet Reshepi./veriu.info/.



