Një histori familjare e lidhur me pyjet e Kosovës: Krijimi i mundësive për komunitetet rurale

27 nëntor 2026 | 15:03

Çfarë duhet për ta rindërtuar një biznes nga e para? Për familjen Veliu në Kosovë, përgjigjja qëndron te këmbëngulja, lidhja e ngushtë me natyrën dhe besimi se mundësitë ekonomike mund të ndryshojnë jetën e njerëzve. Sot, Agro-Florentina eksporton kërpudha, fruta pylli dhe bimë mjekësore në tregjet ndërkombëtare. Por historia e saj ka nisur shumë kohë para themelimit të kompanisë dhe ka vazhduar pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga lufta.

Një biznes që lindi në pyjet e Kosovës

Shumë kohë para se Agro-Florentina të bëhej një nga eksportuesit kryesorë të produkteve natyrore në Kosovë, Xhemshir Veliu merrej me grumbullimin e kërpudhave të egra dhe bashkëpunonte me banorët e zonave rurale që i mblidhnin ato. Në atë kohë, nuk kishte ambiente përpunimi, rrjet eksporti apo plane biznesi që shkonin përtej sezonit të ardhshëm. Gjithçka nisi nga lidhja me natyrën dhe bashkëpunimi me njerëzit e komuniteteve rurale, të cilët i njihnin mirë pyjet, stinët dhe produktet e natyrës. Përmes grumbullimit të kërpudhave të egra, ata mund të siguronin edhe të ardhura shtesë për familjet e tyre. Për Xhemshirin, ajo që filloi si një veprimtari e vogël tregtare, gradualisht u zhvillua në diçka më të madhe. Në zona të ndryshme të Kosovës u hapën pika grumbullimi, duke krijuar mundësi ekonomike për familjet rurale dhe duke ndërtuar një rrjet furnizimi të bazuar në njohuritë vendore dhe besimin e ndërsjellë.

Kur gjithçka duhej të fillonte nga e para

Më pas, gjithçka ndryshoi. Me fillimin e luftës në Kosovë në vitin 1998, familja Veliu u detyrua të largohej nga vendi. Biznesi që kishin ndërtuar me shumë mund u ndërpre papritur. Ashtu si mijëra familje të tjera, edhe ata u përballën me pasigurinë, shpërnguljen dhe nevojën për ta nisur jetën nga e para. Kur familja u kthye në Kosovë, rindërtimi i biznesit nuk ishte vetëm një nevojë ekonomike, por edhe një simbol shprese. Ata rifilluan veprimtarinë me emrin Pranvera, një emër që simbolizonte fillimin e ri për familjen e tyre, por edhe periudhën e rimëkëmbjes për komunitetet në mbarë vendin. Kjo përvojë vazhdon të ndikojë në mënyrën se si familja e sheh kompaninë edhe sot.

“Edhe familja jonë e ka përjetuar shpërnguljen dhe na është dashur ta rindërtojmë jetën pas luftës,” thotë Blerinda Veliu, vajza e Xhemshirit dhe drejtuesja e tanishme e kompanisë. “E kuptojmë sa e rëndësishme mund të jetë një mundësi ekonomike për një familje që përpiqet të krijojë stabilitet.”

Nga njohuritë vendore te mundësitë në tregjet ndërkombëtare

Kur Agro-Florentina u themelua zyrtarisht në vitin 2013, synimet e familjes shkonin përtej blerjes dhe shitjes së kërpudhave. Ata dëshironin t’i lidhnin pasuritë natyrore dhe njohuritë tradicionale të komuniteteve rurale të Kosovës me tregjet ndërkombëtare, duke krijuar njëkohësisht mundësi afatgjata për këto komunitete. Më shumë se një dekadë më vonë, ky synim është bërë realitet. Sot, Agro-Florentina grumbullon, përpunon dhe eksporton kërpudha, fruta pylli dhe bimë mjekësore e aromatike për klientë në mbarë botën. Pas këtij suksesi qëndron një rrjet prej rreth 1,000 grumbulluesish dhe fermerësh në të gjithë Kosovën, shumë prej të cilëve bashkëpunojnë me kompaninë prej vitesh.

Njerëzit pas çdo prodhimi

Megjithatë, për Blerindën, shifrat tregojnë vetëm një pjesë të historisë. “Njerëzit mund të lexojnë se bashkëpunojmë me mbi 1,000 grumbullues dhe se eksportojmë në tregjet ndërkombëtare,” thotë ajo. “Por ajo që nuk shihet gjithmonë është se pas çdo kilogrami produkti qëndron një person, një familje, një komunitet dhe shpesh njohuri që janë përcjellë brez pas brezi.”

Këto njohuri vazhdojnë të jenë në qendër të mënyrës së punës së Agro-Florentinës. Fermerët dhe grumbulluesit sjellin përvojën e tyre në njohjen e natyrës, stinëve të grumbullimit dhe produkteve vendore. Kompania i ndihmon që këto njohuri t’i shndërrojnë në mundësi ekonomike, duke ofruar trajnime, mbështetje teknike dhe udhëzime për standardet e prodhimit organik, kërkesat e cilësisë, gjurmueshmërinë e produkteve dhe praktikat e qëndrueshme të grumbullimit. Në vend të një marrëdhënieje të thjeshtë mes blerësit dhe furnizuesit, Agro-Florentina ka ndërtuar partneritete afatgjata me njerëzit me të cilët bashkëpunon. Shumë fermerë dhe grumbullues vazhdojnë të punojnë me kompaninë sezon pas sezoni, duke u zhvilluar së bashku me të.

Rritja e kompanisë përmes përmirësimit të jetesës së familjeve

Kur pyetet për arritjen me të cilën ndihet më krenare, Blerinda nuk përmend sasitë e eksportit apo sukseset tregtare të kompanisë. “Ndryshimin e sheh kur njerëzit vazhdojnë të punojnë me ty vit pas viti,” thotë ajo. “Kur marrëdhëniet kthehen në partneritete afatgjata dhe familjet arrijnë t’i shndërrojnë burimet dhe njohuritë që kanë në komunitetet e tyre në një burim të qëndrueshëm të ardhurash.” Për një familje që dikur është detyruar ta rindërtojë nga e para burimin e saj të jetesës, ky ndikim ka një domethënie të veçantë. “Të shohësh se Agro-Florentina po krijon mundësi të tilla edhe për të tjerët është ndoshta pjesa më e vlefshme e gjithë rrugëtimit tonë.”

Përgatitja për fazën e ardhshme të zhvillimit

Sot, kompania po përgatitet për fazën e ardhshme të zhvillimit. Megjithëse grumbullimi i produkteve të egra në natyrë mbetet pjesë kryesore e veprimtarisë së Agro-Florentinës, kjo sjell edhe sfida. Sasitë e grumbulluara varen shumë nga kushtet atmosferike, ndryshimet sezonale dhe disponueshmëria e burimeve natyrore. Kapacitetet e kufizuara të ruajtjes mund të ndikojnë gjithashtu në sasinë e produkteve që arrijnë të dalin në treg. Për t’i adresuar këto sfida dhe për ta bërë veprimtarinë e saj më të qëndrueshme, Agro-Florentina ka përfituar mbështetje nga LuxAid Demonstration Fund.

Me këtë bashkëfinancim nga Qeveria e Luksemburgut përmes Bashkëpunimit për Zhvillim të Luksemburgut, kompania do të investojë në dy sera inteligjente, zgjerimin e kapaciteteve për ruajtje në ambiente frigoriferike dhe ngrirje, instalimin e paneleve diellore dhe sistemeve për grumbullimin e ujit të shiut. Agro-Florentina planifikon gjithashtu t’i shndërrojë mbetjet organike në kompost dhe peletë nga biomasa, si dhe të mbështesë gjashtë fermerë ose pika grumbullimi me të cilët ka marrëveshje bashkëpunimi, duke u ofruar pajisje për kultivimin e kërpudhave.

Investimi në një të ardhme më të qëndrueshme

Për Blerindën, këto investime kanë një rëndësi që shkon përtej infrastrukturës së re. “Rritja e kompanisë duhet të krijojë mundësi edhe për komunitetet që na rrethojnë,” shpjegon ajo.

Duke zvogëluar varësinë nga grumbullimi i produkteve të egra dhe duke krijuar mundësi të reja prodhimi, LuxAid Demonstration Fund po e ndihmon Agro-Florentinën të fuqizojë një model biznesi që ndërthur rritjen ekonomike, përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe zhvillimin rural. Ky është hapi i radhës në një rrugëtim që nisi dekada më parë me një grup të vogël grumbulluesish të kërpudhave, u ndërpre nga lufta dhe u rindërtua falë këmbënguljes dhe përkushtimit.

Duke parë drejt së ardhmes

Kur Blerinda mendon për rrugën që ka përshkuar kompania ndër vite, ajo i kthehet sërish idesë që e frymëzoi këtë veprimtari që në fillim: “Ajo që nisi si lidhja e familjes sonë me natyrën e Kosovës, sot është bërë një mënyrë për të krijuar mundësi për mijëra familje të tjera, duke e ruajtur njëkohësisht atë natyrë për brezat e ardhshëm.”

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shruan: Adnan Thaçi Në Drenicë, dikur, njerëzit kishin një mënyrë…