Studentët në Novi Sad sfidojnë regjimin pas ndërhyrjes së policisë
Numri i fakulteteve dhe shkollave të larta që po bojkotojnë mësimin në Novi Sad po rritet nga dita në ditë, si shenjë proteste kundër dhunës institucionale dhe ndërhyrjes së pushtetit në autonominë universitare. Studentët kanë shpallur bojkot të mësimit në disa fakultete dhe kanë organizuar protesta në kampusin e Universitetit të Novi Sadit.
Sipas studentëve, arsyeja kryesore e protestës dhe bojkotit është shkelja e autonomisë së Universitetit, dhuna ndaj studentëve të Fakultetit Filozofik dhe largimi nga puna i profesoreshës Jelena Kleut, të cilës – pavarësisht mbështetjes unanime të këshillave profesionale – Senati i Universitetit i ka mohuar në mënyrë të paligjshme zgjedhjen në titull akademik, duke i ndërprerë më pas marrëdhënien e punës.
Shumica e studentëve kanë bojkotuar mësimin për një ditë, ndërsa studentët e Fakultetit Filozofik kanë paralajmëruar se bojkoti do të vazhdojë “deri në një njoftim të ri”. Në këtë fakultet, prej ditësh pothuajse nuk ka ligjërata, ndërsa një pjesë e profesorëve i janë bashkuar bojkotit.
Gjatë protestës, studentëve u është drejtuar edhe profesoresha e Fakultetit Filozofik, Tanja Todoroviq, e cila tha se bojkoti nuk ishte zgjedhja e parë e studentëve, por zgjidhja e fundit për të tërhequr vëmendjen ndaj kërkesave të tyre.
“Studentët po bojkotojnë mësimin vetëm pasi institucionet i kanë injoruar për një kohë të gjatë. Ata kanë bërë pyetje, kanë dorëzuar kërkesa dhe kanë kërkuar dialog, por përgjigje nuk ka pasur, ose ka pasur në mënyrën e gabuar”, tha ajo.
Valë e re protestash shpërtheu pasi profesoreshës Jelena Kleut iu dorëzua vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Studentët kërkojnë dorëheqjen e dekanit të Fakultetit Filozofik, Milivoje Alanović, dhe të rektorit të Universitetit të Novi Sadit, Dejan Madić, si dhe rikthimin e Kleut në vendin e punës.
Ndërsa drejtuesit e Universitetit pretendojnë se gjithçka është bërë në përputhje me rregullat, studentët në bllokadë theksojnë se profesoresha Kleut është ndëshkuar sepse i mbështeti protestat studentore pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Gjatë një proteste më 21 janar, policia me pajisje kundër trazirave ndërhyri dhe nxori me forcë studentë, profesorë dhe qytetarë nga Fakulteti Filozofik, veprim që u dënua nga një pjesë e madhe e komunitetit akademik si shkelje e rëndë e autonomisë universitare.
Studentët e Novi Sadit prej gati një viti kanë bllokuar fakultetet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në stacionin hekurudhor dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Studentët e Fakultetit Filozofik ishin ndër të parët që nisën bllokadën.



