Demokratët i kërkojnë Trump shkarkimin e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, por ai refuzon

27 janar 2026 | 23:39

Në Shtetet e Bashkuara po rritet presioni politik ndaj Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, pas vrasjes së Alex Pretti nga agjentët federalë në Minneapolis.

Senatori Demokrat John Fetterman nga Pensilvania ka bërë thirrje për shkarkimin e menjëhershëm të Noem, duke e akuzuar atë se ka “shkatërruar trashëgiminë e sigurisë kufitare”.

Në rrjetin social Bluesky, ai deklaroi se po bën një apel të drejtpërdrejtë për largimin e saj nga detyra, duke theksuar se “amerikanët kanë vdekur”. Ai i referohet këtu jo vetëm vrasjes së Pretti-t, pasi ai është qytetari i dytë amerikan i vrarë nga oficerët federalë në Minneapolis këtë muaj, pas Renee Nicole Good, 37 vjeç.

Siç shkruan BBC, Noem pritet të dëshmojë më 3 mars para Komisionit Juridik të Senatit për menaxhimin e rastit, ndërsa pretendimet e saj se Pretti mbante armë janë hedhur poshtë nga pamjet filmike, ku shihet qartë se ai mbante një telefon.

Megjithatë, menjëherë pas ngjarjes, Noem e quajti viktimën “terrorist i brendshëm” dhe mbrojti agjentët federalë.

Trump i del në krah

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta shkarkojë Noem, duke thënë se ajo ka bërë “një punë shumë të mirë”. Por demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve paralajmërojnë se, nëse Trump nuk vepron, ata do të nisin procedurat për “Impeachment”, një proces politik dhe ligjor që përdoret në Shtetet e Bashkuara për të akuzuar dhe ndëshkuar zyrtarë të lartë të qeverisë, nëse ata akuzohen për shkelje të rënda. Në fund të kiëtij gjyqi vendoset nëse zyrtari duhet të dënohet dhe të largohet nga detyra.

“Ne mund ta bëjmë këtë në mënyrën e lehtë ose të vështirë,” thanë drejtuesit demokratë, megjithëse shanset për sukses janë të pakta, pasi republikanët kontrollojnë shumicën dhe Senati nuk ka votat e nevojshme për ta larguar.

Analistët e shohin këtë si një lëvizje politike të demokratëve për të rritur presionin publik dhe për të detyruar republikanët të shprehen hapur në mbështetje të Noem-it, e cila tashmë është nën kritika për politikat e ashpra të emigracionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia po harton plane emergjence për të parandaluar një valë…