Kamenica i bashkohet projektit ReRural për angazhimin dhe zhvillimin e energjisë komunitare
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, kanë pritur në takim Liri Kuçi, hulumtuese e lartë në organizatën Balkan Green Foundation, si dhe Ngadhënjim Halilaj menaxher i projekteve në këtë organizatë.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm me këtë organizatë, si dhe për mundësitë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi përmes projektit ReRural.
I pari i komunës ka falënderuar përfaqësuesit e organizatës Balkan Green Foundation, duke theksuar se Komuna është e gatshme t’i bashkojë forcat me organizata të tilla për të qenë pjesë e projekteve që synojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Ju falënderoj për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në projektet e përbashkëta që kemi pasur. Jam i gatshëm ta konsolidojmë këtë bashkëpunim, tashmë edhe përmes projektit të ri ReRural, i cili ka për qëllim energjinë e ripërtëritshme. Ne si komunë kemi pasur disa projekte të vogla në këtë drejtim, mirëpo shpeshherë rrethana të ndryshme kanë penguar vazhdimin e tyre. Megjithatë, me këtë projekt dhe me një organizatë si Balkan Green Foundation, besojmë se kemi gjetur projektin e duhur për Kamenicën”, ka thënë kryetari Rahimaj.
Hulumtuesja Liri Kuçi, duke falënderuar kryetarin Rahimaj për bashkëpunimin e deritanishëm, theksoi rëndësinë e këtij projekti për Kamenicën, duke e parë atë si një komunë shembull për komunat e tjera. “Projekti ReRural, i financuar nga programi EUKI, synon të rrisë ndërgjegjësimin për varfërinë energjetike në zonat rurale të Evropës Juglindore, duke propozuar si zgjidhje tranzicionin energjetik dhe komunitetet energjetike. Duke marrë parasysh se Komuna e Kamenicës ka orientim të qartë drejt energjisë së ripërtëritshme, kemi vlerësuar se ky projekt mund të sjellë rezultate shumë të mira dhe ta shndërrojë Kamenicën në një komunë shembull për të tjerat”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe rezultatet e pritshme të projektit.
Në këtë kuadër, Komuna e Kamenicës i bashkohet projektit ReRural (i financuar nga EUKI përmes Ministrisë Gjermane për Ekonomi dhe Veprim Klimatik), në partneritet me Balkan Green Foundation, si angazhim institucional për vlerësimin e kapaciteteve komunale dhe krijimin e kushteve konkrete për themelimin dhe mbështetjen e komuniteteve energjetike.



