Misini: Nëse vazhdon bllokada e kufijve do të ketë inflacion të vazhdueshëm

29 janar 2026 | 08:05

Bllokada e pikave kufitare nga transportuesit e rajonit, e cila ka ndaluar qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen, po dëmton edhe bizneset dhe shoferët e Kosovës, ka thënë Shkumbin Misini, profesor i ekonomisë.

Misini ka thënë se dëmin më të madh nga këto rregulla e pësojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Dëmtimi më i madh është i vendeve të Ballkanit Perëndimor sepse jemi vende më të varfra. Për momentin, interesi jonë është më i madh, sepse shtetet e BE-së e kanë mundësinë e tregut te tjetri. Besoj se do të zgjidhet ky problem sepse në disa raporte disa shtete kanë thënë se kanë humbje ditore 100 milionë euro”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Misini ngreh shqetësimin se nëse BE-ja nuk ndërmerr masa lehtësuese, bizneset në Kosovë do të kenë edhe më shumë probleme, e sipas tij, mund të priten edhe rritje të çmimeve.

“Nëse kjo vazhdon një muaj ne kemi me pasë inflacion të vazhdueshëm këtu sepse do të kemi mungesë të produkteve të cilat kërkesa është shumë e madhe, pasi ne e kemi importin mbi 7 miliardë e eksportin 942 milionë euro, edhe eksportuesit i dëmton sepse kanë kontrata me eksportu produkte, afatin për eksport dhe kush i shkel ato digjet më shumë prodhuesi kosovar që duhet ta dërgojë në afat dhe tash nuk mundet. Nëse vazhdon me një muaj edhe kompanitë prodhuese që e kanë importimin e lëndës së parë do të kenë probleme”, ka theksuar ai.

Sipas Misinit, kompanitë që mund të ndikohen më shumë janë të mobileve dhe produkteve të konsumit.

“Kompanitë prodhuese që i kemi, më shumë janë të mobileve, do të ketë efekt shumë të madh. E dyta, janë produktet e konsumit të përditshëm, qendrat tregtare do të kenë mungesë të produkteve. Kjo vërehet menjëherë, jo ndoshta këto 3-4 ditë, por nëse vazhdon 1 javë menjëherë do të ndryshojnë çmimet”, deklaroi ai.

Pikat kufitare me vendet e Bashkimit Evropian (BE) u bllokuan më 26 janar nga shoferët e kamionëve transportues nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në shenjë proteste ndaj procedurave të BE-së.

Sipas këtyre procedurave, shoferëve të kamionëve transportues u shkurtohet koha e lejuar e qëndrimit në vendet e BE-së  si dhe në rregulla përfshihet edhe regjistrimi elektronik në vend të vulosjes së pasaportave, gjë që ka ngadalësuar më tej trafikun në pikat kufitare me vendet jo-anëtare të BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 14 mijë pacientë janë aktualisht në listë pritjeje për…