Thekse nga fjala e Smajl Latifit në nderim të 27-vjetorit të rënies në krye të detyrës së dëshmorit të kombit, Sahit Krasniqi
Të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit, ju familjarë të heroit Sahit Krasniqi, invalidë e veteranë të luftës së UÇK-së, veprimtarë të çështjes kombëtare, të nderuar qytetarë të Ratkocit me rrethinë, nxënës e mësimdhënës,
Sahit Krasniqi, i cili sot ka përvjetorin e njëzet e shtatë të përjetësisë, ishte djalë i shkathët, i guximshëm dhe i mishëruar me idealin e çlirimit. Që në fëmijëri ishte mësuar të respektonte e nderonte më të mëdhenjtë, të punonte ndershëm e me përkushtim, të çmonte miqësinë dhe të kujdesej për tokën e të parëve. Nga një familje fisnike nuk pritej të dilte tjetër njeri.
Në kohën kur shpirti i shqiptarëve ishte pacifikuar dhunshëm, ndërsa njerëz të dëshpëruar bënin thirrje për paqe e urti, Sahiti me shokë i hyri rrugës së nderit e të krenarisë. Ishte aktiv në moshë shumë të re, ishte aq i vendosur e i përkushtuar, sa e lakmonin edhe njerëzit që kishin përvojë më të gjatë jetësore. Aktiviteti në kuadër të LKÇK-së ia fisnikëronte zemrën, ia shtonte përkushtimin, ia forconte besimin në drejtësinë dhe në fitore. Me vullnet dhe pa ngurrim eci nëpër shtigje të vështira e të rrezikshme, në ato rrugë ku kërkohej maturi e vigjilencë, disiplinë e guxim, forcë e përkushtim. Nga natyra ishte shpirt i lirë. Këtë do ta dëshmojë në verën e nxehtë të vitit 1998, në korrikun e përgjakshëm në Fortesë në betejë për mbrojtjen e Rahovecit. Pastaj, guxim e qëndrueshmëri do të tregojë edhe në shtatorin e rëndë të Anadrinisë. Kapërceu bjeshkët e vështira e të rrezikshme të Pashtrikut, për të sjellë armë e barot për bashkëluftëtarët që po rezistonin fuqishëm në frontet e luftës në Dukagjin. Atëherë kur rrugët ishin të pasigurta, shtigjet e mbushura me prita, malet e Pashtrikut me istikame të armikut, Sahiti me shokët e tij do ta sfidojë këtë realitet të vështirë, sepse ishte i brumosur me idealet e lirisë dhe se ishte betuar se kthim prapa nuk ka.
——
Sahiti me shumë shokë, la Gjermaninë, erdhi në Anadrini i armatosur me ide të qarta, moralisht e fizikisht fortë, me një përvojë të begatshme në veprimtarinë atdhetare dhe me të gjitha ato cilësi që pati, iu përkushtua plotësisht luftës së armatosur. Do të ribashkohet me shokët e idealit ende pa u tharë gjaku i Naserit. Ai mund të zgjidhte të rrinte në Gjermaninë e lirë, por jo, ai nuk duronte të shihte lot e dhimbje për nënat, për motrat dhe vëllezërit që luftonin e gjakonin për lirinë, nuk mund të rrinte atje larg e të shihte Kosovën se si po bëhej prush nga flakët e luftës.
Ne që e kemi njohur dhe kemi punuar e luftuar me të, kemi shumë për të thënë. Ishte nder dhe përgjegjësi të rrugëtosh me djem si Sahiti, Visari, Naseri, Safeti Luli e Jaha, të cilët me aktin e tyre të flijimit i lanë nder vetes, familjes e atdheut. Kujtimet janë të gjalla dhe përherë motivuese. Kur e sotmja dhe e djeshmja janë ballë për ballë, atëherë ndodh ndryshimi i duhur. Dje kishim një armik të ashpër e gjakatar, dhunues e vrasës në një anë, ndërsa në anën tjetër djem e burra të armatosur me dashurinë e madhe për liri, ndërsa sot kemi para vetes aq shumë punë për të bërë, për ta çuar më tutje vullnetin e atyre që luftuan e ranë për këtë tokë të shenjtë e të shtrenjtë.
Popullin tonë e kanë mbajtur gjallë ata që nuk u hamendën dhe zgjedhon të hyjnë sprova e vështirësi, nëpër rreziqe të shumta për idealin e lirisë dhe të bashkimit. Në saje të tyre, ëndrrat bëhen realitet, ndonëse lufta bëhet e ashpër dhe heroike e sakrificat mbinjerëzore.
——
Nuk zgjodhi se ku është më lehtë të luftohet: Anadrini, Dukagjin, Pashtrik, Drenoc, Fortesë, Ratkoc apo Malësi të Vogël, Shqiponjë të Dushkajës apo në vatra të tjera të luftës së UÇK-së. Sahiti do të luftonte aty ku ishte më e vështirë, pa u hamendur. Pa të tillë luftëtarë misionarë, do të ishte e pamundshme që të kemi vazhdimësi të sukseseve të UÇK-së.
Në frymën e kësaj vendosmërie dhe këtij guximi, Sahit Krasniqi do të operojë me shumë shokë në zonën luftarake të Dukagjinit. Edhe atje kishte krijuar respekt dhe besim të ndërsjellë në mesin e bashkëluftëtarëve. Me djemtë e Markalleshëve të Vraniqit, me luftëtarë e komandantë të dëshmuar nëpër beteja, por edhe lidhje të veçantë me komandantin e Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Për nevoja të luftës në këtë zonë të nxehtë, ata kishin marrë detyrë të sillnin zjarrin e lirisë edhe në dimër, në borë e acar, duke kaluar nëpër pusi të shumta të forcave serbe, të ndihmuara edhe prej shërbëtorëve të tyre, tradhtarët shqiptarë, që me çdo kusht donin ta thyenin dhe shuanin UÇK-në. Në rrethana të këtilla, marshimet e luftëtarëve janë të mundimshëm, nganjëherë janë të paarritshme caqet. Kështu ndodhi edhe me marshimin që nisi me 27 janar 1999 nga Shqiponja. Rrugët sado të rrahura që të jenë, armiku nuk fle, ato minohen me kujdes përmes argatëve të vet. Prita parë e Bishtazhinit e 27 janarit, edhe pse ua vështirësoi marshimin sepse ranë dy trima luftëtarë (Kasim Shala dhe Ilir Merturi), por kolona vazhdoi rrugën drejt Godenit. Përsëri pritë dhe betejë, Memë dhe Prendë Lleshi u përjetësuan, ndërsa Sahit Krasniqi, do të plagoset në këmbë. Në këtë situatë të vështirë, ai me bashkëluftëtarët e tij, do të detyrohen të kthehen në Rogovë, tmerrësisht të dërmuar nga ky marshim dramatik. Në mëngjesin e 29 janarit 1999, ende pa e marrë veten nga përjetimet dhe dhimbjet, situata ndryshoi aq shpejtë, sa përballja me pritën e tretë ishte edhe e fundit për këta luftëtarë të devotshëm, që në historinë e luftës çlirimtare është shkruar si njëra nga humbjet më të mëdha të UÇK-së. Në Rogovë të Hasit, pavdekësinë e fituan luftëtarët dhe komandantët e dëshmuar të luftës për lirinë e kombit. Në këtë marshim historik, ranë 21 dëshmorë dhe 9 njerëz të pafajshëm të Rogovës së Hasit, disa prej të cilëve u përpoqën t’i ndihmojnë këta luftëtarë. Në këtë mision të vështirë dhe fisnik, në datat 27, 28 dhe 29 janar, ranë luftëtarë të trima e të dëshmuar nëpër beteja si dhe udhëheqës të njësive të UÇK-së, si: Agron Rama, Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Sejdi Rama, Ilir Merturi, Gaspër Karaçi, Naim Dreshaj, Emrush Çeta, Daut Zagraxha, Bahtjar Morina, Valon Gashi, vëllezërit Memë e Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Luan Smajli, Kasim Shala, Haxhi Kleçka, Vesel Avdyli, Naim Gashi.
Në përpjekje për të shpëtuar luftëtarët e plagosur, u flijuan edhe rogovasit fisnikë: Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala.
——
Lavdi e përjetshme dëshmorëve që kombit që ranë në janarin e acartë të vitit 1999, lavdi të gjithë dëshmorëve kudo dhe kurdo që ranë!





