AKB-ja: Bllokadat po vazhdojnë, tregtia e Ballkanit Perëndimor nën presion politik
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka theksuar se tërheqja nga protestat e transportuesve në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut nuk nënkupton arritje të marrëveshjes, por është rezultat i presionit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian.
Sipas AKB-së, problemet mbesin të pazgjidhura dhe kërkesat e transportuesve nuk janë adresuar në mënyrë substanciale.
“Ndërkohë, vazhdimi i protestave në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë po vazhdon të pengojë qarkullimin e mallrave, duke dëmtuar rëndë tregtinë e Kosovës me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Evropian”.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se kjo situatë është e papranueshme, cenon parimet e tregut të lirë dhe po shkakton dëme serioze ekonomike për bizneset kosovare dhe ato ballkanike”.
“AKB kërkon reagim urgjent institucional, koordinim rajonal dhe ndërhyrje konkrete të BE-së për të plotsuar kërkesat e transportuesve dhe për të garantuar lëvizje të lirë të mallrave dhe trajtim të barabartë për transportuesit e Ballkanit Perëndimor. Heshtja dhe zvarritja e EU nuk janë më opsion”, thuhet në reagimin e AKB-së.



