Vedat Muriqi shkëlqen në fitoren e Mallorcas ndaj Sevillas

03 shkurt 2026 | 00:06

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka bërë një paraqitje të madhe në fitoren e Mallorcas sonte ndaj Sevillas.

Në ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së 22-të në La Liga, Mallorca fitoi si vendase ndaj Sevillas, me shifrat prej 4-1.

Në dy gola të Mallorcas, kontribuues ishte edhe Vedat Muriqi.

Sulmuesi dardan fillimisht e hapi serinë e golave në ndeshje, duke shënuar në minutën e 26-të nga pika e bardhë e penalltisë, për 1-0.

Në fund të pjesës së parë, megjithatë Sevilla arriti të barazojë shifrat, përmes transferimit të ri, Neal Maupay.

Por, Mallorca e riktheu epërsinë në minutën e 53-të, kur Samu Costa shënoi për 2-1.

Vedat Muriqi doli përsëri në skenë në minutën e 74-të, kur bëri një goditje të bukur drejt portës së Sevillas, e cila u devijua nga Sergi Darder.

Goli iu numërua spanjollit, teksa për Muriqin mbeti vetëm asistim.

Deri në fund, Mallorca e shënoi edhe një gol. Atë e shënoi zëvendësuesi Pablo Torre, në minutën e 96-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Mallorca i ik zonës së rrezikshme të rënies, duke kaluar në pozitën e 15-të, me 24 pikë, aq sa ka edhe Sevilla një pozitë më lartë.

Në këtë sezon në La Liga, “Pirati dardan” ka shënuar 15 gola në La Liga, duke numëruar edhe një asistim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas rizgjedhjes së…