Penalltitë i japin fitoret Realit, në 22 javë madrilenët kanë gjuajtur 11 herë nga pika e bardhë
Ajo që po ndodh me Realin e Madridit nuk ka të krahasuar me asnjë skuadër tjetër. Nuk është fjala te loja, por akordimi i penalltive pa hesap në favor të tyre. Fundjavën e kaluar, edhe një herë, memet mbushën rrjetet sociale me imazhin e gjyqtarit duke bërë gjestin e VAR-it dhe mbishkrimin “penallti për Real Madridin”.
Fitorja me penallti në minutën e 100- të kundër Rayo Vallecanos nuk është thjesht rastësi. Statistikat janë domethënëse. Real Madridit i jepet një penallti çdo dy ndeshje dhe pëson një çdo 11. Nuk ka asgjë të ngjashme në La Liga apo askund tjetër në Evropë. Në 22 ndeshje të LaLigas, Real Madridit i janë dhënë 11 penallti, pothuajse dyfishi i numrit të dhënë klubeve të tjera në renditje, Barcelona, Mallorca dhe Girona, me nga 6 secila. Megjithatë, “Los Blancos” i janë dhënë vetëm 2 penallti kundër, duke i dhënë një bilanc pozitiv penalltish prej +9. Barcelona, për shembull, ka pasur 4 penallti të dhëna kundër saj.
Krahasuar me ligat e tjera të mëdha, shifrat janë gjithashtu tronditëse. Në Premier League, skuadra që ka marrë më shumë penallti është Brentford, me 7 në 24 ndeshje (dy më shumë se në La Liga). Ata kanë marrë 6 penallti të dhëna kundër tyre. Për ta vënë këtë në kontekst, skuadrat sulmuese si Arsenal dhe Manchester City kanë marrë nga 3 penallti secila.
Në Bundesligë, situata është më e shpërndarë në mënyrë të barabartë. Bayern Munchen, Borussia Dortmund, Freiburg, dhe Mainz kanë marrë nga gjashtë penallti secili në 20 ndeshje.
Në Serie A, Como dhe Pisa kanë marrë më shumë penallti, me gjashtë në 23 ditë ndeshjesh, por kanë pasur përkatësisht tre dhe katër penallti të dhëna kundër tyre.
Është interesante se në Ligën e Kampionëve, Real Madridit i janë dhënë 3 penallti (njësoj si 8 ekipe të tjera si Bayern dhe PSG) dhe ka pasur 2 kundër tyre në 8 javë ndeshjesh. Borussia Dortmund kryeson në këtë kategori me 4.
Me pak fjalë në Kampionatin spanjoll “mbretërit” trajtohen si “mbretër” në dhënien e penalltive, ndërkohë që në Evropë ata janë njëlloj si skuadrat e tjera. Këto shifra mund të jenë edhe rastësi, por është fakt që skuadra madrilene është e përkëdhelura e xhaketave të zeza.



