FFK-ja mbajti mbledhjen e radhës, ‘Laureatët e Vitit 2026’ ndahen më 20 dhjetor
Nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku janë shqyrtuar çështje që lidhen me organizimin, mbarëvajtjen dhe zhvillimin e futbollit në vend.
Në këtë mbledhje, KE-ja ka vendosur që manifestimi tradicional “Laureatët e Vitit 2026” të mbahet më 20 dhjetor, në orën 17:00, në hotelin “Emerald”. Në këtë ceremoni do të nderohen më të dalluarit e vitit në futbollin e Kosovës.
Për organizimin dhe mbarëvajtjen e manifestimit është formuar një komision treanëtarësh, në përbërje të të cilit janë Samir Ujkani, Enver Muzliukaj dhe Armend Misini.
Gjatë mbledhjes është diskutuar edhe për ecurinë e garave në të gjitha kategoritë. Sipas vlerësimit të KE-së, kampionatet po zhvillohen përgjithësisht në nivel të kënaqshëm, por mbetet e nevojshme ngritja e mëtejshme e cilësisë dhe konkurrencës.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar gjendjes financiare të klubeve, me theks te domosdoshmëria e vendosjes së kritereve më të rrepta në të ardhmen, me qëllim të garantimit të qëndrueshmërisë financiare dhe përmbushjes së obligimeve ndaj futbollistëve.
KE-ja ka vlerësuar ndikimin pozitiv të projektit të FFK-së “Ndriçojmë futbollin”, përmes të cilit janë vendosur reflektorë në stadiume dhe është rritur mundësia për zhvillimin e ndeshjeve në orare më të përshtatshme për shikuesit. Ndërkaq, paraqitja e klubeve kosovare në garat evropiane këtë edicion është vlerësuar e pakënaqshme, edhe në krahasim me sukseset e arritura në edicionet paraprake.
Sa i përket ndarjes së drejtësisë, është theksuar nevoja për vigjilencë dhe përkushtim më të madh nga zyrtarët e ndeshjeve, në mënyrë që të shmangen lëshimet. Njëkohësisht, është kërkuar që kritikat ndaj referimit të mos jenë të ekzagjeruara.
Në këtë kontekst, është vlerësuar rëndësia e themelimit të Akademisë së Gjyqtarëve dhe e trajnimit të vazhdueshëm të gjeneratave të reja, të cilat pritet të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së referimit në futbollin e Kosovës.
Një tjetër vendim i marrë në këtë mbledhje është që, nga stinori pranveror, edhe ndeshjet e Ligës së Parë të transmetohen përmes platformës “FIFA+”, krahas ndeshjeve të Superligës së femrave, të cilat tashmë transmetohen në këtë platformë.
KE-ja ka shqyrtuar edhe ecurinë e ekipeve kombëtare. Për Kombëtaren A është konstatuar se ende qëndron brenda objektivave, ndërsa për grupmoshat e reja është vlerësuar se nevojiten rezultate më të mira.
Përgjegjësi për kategoritë e reja të ekipeve kombëtare në KE, Samir Ujkani, ka paraqitur raportin për angazhimet dhe rezultatet e deritashme, duke theksuar objektivat në garat kualifikuese të UEFA-s dhe rëndësinë e zhvillimit të talenteve të reja.
Në fokus të mbledhjes kanë qenë edhe projektet infrastrukturore të FFK-së. Është bërë e ditur se do të vazhdojë projekti i ndërtimit të fushave të reja, ndërsa së shpejti pritet të përfundojë instalimi i reflektorëve edhe në tri stadiume të tjera.
Punimet e fazës së dytë po vazhdojnë edhe në Kampin Nacional në Hajvali dhe në Shtëpinë e Futbollit, ku tashmë janë krijuar kushtet për funksionalizimin e FFK-TV-së.
Duke vlerësuar se FFK-ja ka arritur të përmbushë në kohë rekord pothuajse të gjitha objektivat e strategjisë katërvjeçare, është bërë e ditur se së shpejti, në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n, do të hartohet strategjia e re, me fokus investimet në fushat ku ka zhvillim dhe progres.
Në fund, KE-ja ka shqyrtuar edhe kërkesa e parashtresa të ndryshme, si dhe çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë.



