Epstein ishte trajnuar si spiun nga Mossad-i? Çfarë shkruhet në dosjet e FBI-së
Një dokument i FBI-së i vitit 2020, i përfshirë në dosjet e publikuara së fundmi për Jeffrey Epstein, pretendon se miliarderi i ndjerë, i dënuar për abuzime seksuale me të mitur, ishte “trajnuar si spiun” gjatë kohës kur kryeministër i Izraelit ishte Ehud Barak, raporton Middle East Eye.
Dokumenti, i klasifikuar nga agjencia amerikane si raport i një burimi tejet konfidencial, përmban informacione mbi “ndikime të brendshme ose të huaja në procesin zgjedhor në SHBA”. Megjithatë, burimi, sipas FBI-së, ka “zgjeruar informacionin edhe në disa çështje të tjera”.
Sipas raportit, burimi ka deklaruar se ka ndarë me autoritetet detaje të bisedave telefonike mes profesorit të Harvard, Alan Dershowitz dhe Jeffrey Epstein, gjatë të cilave ai/ajo kishte mbajtur shënime. Këto detaje, sipas pretendimit, më pas i ishin përcjellë shërbimit sekret izraelit, Mossad-it.
Informatori, i cili i ka dorëzuar këto të dhëna më 16 tetor 2020, ka pohuar se Ehud Barak e konsideronte kryeministrin aktual izraelit, Benjamin Netanyahu, “një kriminel”. Po sipas tij, pas shumë bisedash rreth Epstein, ata ishin “bindur se Epstein ishte një agjent i rekrutuar nga Mossad-i”.
Burimi ka shtuar gjithashtu se kishte dëgjuar Dershowitz t’i thoshte një avokati tjetër amerikan se “Epstein i përkiste si shërbimeve inteligjente amerikane, ashtu edhe atyre të vendeve aleate”.
Burimi i paidentifikuar, i cili shfaqet vetëm një herë në dosjet Epstein me një kod të veçantë identifikimi, ka raportuar edhe detaje të tjera, përfshirë atë se vetë Alan Dershowitz ishte rekrutuar nga Mossad-i.
Dershowitz, një figurë mjaft polemike dhe mik i hershëm e këshilltar i Netanyahu-t, ka qenë pjesë e mbrojtjes ligjore në disa çështje të profilit të lartë në SHBA, përfshirë rastet e Jeffrey Epstein, Harvey Weinstein dhe Donald Trump.
Burimi ka pretenduar gjithashtu se firma Day One Ventures ndodhej në Silicon Valley për të “vjedhur teknologji”. Day One Ventures është themeluar nga Masha Bucher, ish-ndihmëse e Epstein për marrëdhëniet me mediat, për të cilën burimi ka thënë se ishte “kontakti kryesor i Vladimir Putinit në lëvizjen rinore ruse”.
Në raport sugjerohet edhe një marrëdhënie e gjatë mes familjes së Jared Kushner, dhëndrit dhe ish-këshilltarit të Donald Trump, dhe Izraelit. Burimi përmend babanë e Jared Kushner, Charles Kushner, duke iu referuar “lidhjeve të thella që familja Kushner ka me Izraelin dhe historisë së tyre të praktikave të korruptuara të biznesit”, pa dhënë detaje konkrete për këto akuza.
Dosje të tjera të publikuara së fundmi zbulojnë se Epstein dhe Ehud Barak, i cili ka shërbyer edhe si ministër i Mbrojtjes së Izraelit nga viti 2007 deri në 2013-ën, kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë dhe afatgjatë.
Dokumentet tregojnë se Epstein e ka këshilluar Barakun për kompaninë teknologjike Palantir, i ka kërkuar atij t’i siguronte një post ish-ministrit britanik Lord Peter Mandelson në një kompani energjetike dhe ka diskutuar për honorare “masive” konsulence që do t’i paguheshin ish-kryeministrit britanik Tony Blair.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi në platformën X, duke deklaruar:
“Marrëdhënia e ngushtë e Jeffrey Epstein me Ehud Barak-un nuk tregon se Epstein ka punuar për Izraelin. Përkundrazi, provon të kundërtën”.
Netanyahu shtoi se Barak “prej vitesh është përpjekur në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite, duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-zioniste në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur të Izraelit”, duke e akuzuar ish-kryeministrin se ka vepruar publikisht dhe në prapaskenë për të dobësuar qeverinë izraelite.



