OPINION JURIDIK DHE ANALIZË KRAHASIMORE
Avokat Halit KRASNIQI
Konsistenca e aplikimit të paraburgimit ndaj komisionerëve zgjedhorë
(Gjykata Themelore në Gjakovë – Malishevë vs. Gjakovë)
I. OBJEKTI I OPINIONIT
Ky opinion paraqet një analizë juridike krahasimore mbi aplikimin e masave të sigurisë ndaj komisionerëve zgjedhorë të dyshuar për manipulim të procesit zgjedhor, ku ndaj komisionerëve në Malishevë është caktuar paraburgim 30 ditor, ndërsa ndaj komisionerëve në Gjakovë është aplikuar procedim në liri.
Qëllimi është vlerësimi i përputhshmërisë së këtyre vendimeve me parimet e barazisë para ligjit, proporcionalitetit dhe përdorimit të paraburgimit si masë e fundit.
II. BAZA LIGJORE (KPPRK)
Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës parashikon:
Neni 171 – Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit: masat duhet të jenë proporcionale dhe të zgjedhet masa më e butë e mjaftueshme.
Neni 172 – Parimi i domosdoshmërisë: kufizimi i lirisë lejohet vetëm kur është i nevojshëm për zhvillimin e procedurës.
Neni 173 – Paraburgimi si masë e fundit (ultima ratio).
Neni 184 – Kushtet për paraburgim: rreziku i arratisjes, ndikimit në prova/dëshmitarë, ose përsëritjes së veprës.
Neni 185 – Detyrimi për arsyetim konkret dhe individual të vendimit për paraburgim.
III. DEFINIME KRAHASIMORE
Elementi juridik për Malishevë dhe Gjakovë. Vlerësim i veprave penale: Manipulim zgjedhor. E njëjta vepër. Identike janë: Subjektet Komisionerë/kryesues në Malishevë, Komisionerë/kryesues në Gjakovë. Identike gjithashtu ishte faza: Hetim fillestar për protagonistët e procedurës në Malishevë. Hetim fillestar për protagonistët e procedurës në Gjakovë. Por jo edhe Masa. Për protagonistët në procedurë nga Malisheva 30 ditë paraburgim. Ndërsa për protagonistët në procedurë nga Gjakova Procedim në liri .
Ndryshim i theksuar Proporcionaliteti. Kufizim maksimal dhe Kufizim minimal për të njëjtat vepra. Disproporcion i theksuar që nuk lejohet të aplikohet në praktikat gjyqësore.
IV. ANALIZA
Në mungesë të dallimeve faktike thelbësore, aplikimi i paraburgimit vetëm për njërin grup nuk përmbush kriteret e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të parashikuara në nenet 171–173 dhe 184–185 të KPPRK-së. Nëse masa më e butë është e mjaftueshme për komisionerët e Gjakovës, atëherë paraburgimi për komisionerët e Malishevës nuk rezulton i domosdoshëm.
Një trajtim i tillë përbën cenim të parimit të barazisë para ligjit dhe krijon indikacione për aplikim selektiv të drejtësisë.
V. KONSTATIM PROFESIONAL
Diferencimi i masave të sigurisë për raste faktikisht të krahasueshme paraqet:
mungesë konsistence gjyqësore;
shkelje të parimit të proporcionalitetit;
përdorim jo të justifikuar të paraburgimit;
dhe rrezik për arbitraritet procedural.
VI. REKOMANDIME
1. Arsyetim i detajuar individual për çdo vendim paraburgimi.
2. Përdorim prioritar i masave alternative.
3. Unifikim i praktikës nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës edhe për raste të njëjta në Komunat tjera nga Gjykatat Themelore me masa jo proporcionale.
4. Monitorim institucional i rasteve të veprave zgjedhore dhe
5. Gjykata e Apelit të Kosovës duhet ta shpëtoj performancën parimore të gjyqësorit, të cilën e ka cenuar skajshmërisht dhe me optikë të dukshme Gjykata Themelore e Gjakovës.



