Dedaj: Jemi të indinjuar nga procesi politik kundër UÇK-së në Hagë
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka reaguar ndaj procesit gjyqësor në Hagë që është duke u zhvilluar kundër liderëve të UÇK-së.
Ai ka thënë se si familje e martirëve është indinjuar nga procesi politik në hagë kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
“Nga ky proces politik kundër UÇK-së në Hagë, jemi të indinjuar, të fyer dhe të shokuar, ne familjarët e martirëve, dëshmorëve dhe të rënëve heroikisht për lirinë e Kosovës, sepse balancimi i krimeve serbe me luftën vetëmbrojtëse të UÇK në pragun e shtëpisë, në fakt është tendencë për denigrimim dhe përmbysjen e lirisë, njollosjen e pavarësisë dhe dëmtimin e historisë së përgjakshme të popullit të Kosovës!”, ka shkruar Dedaj në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Dedajt kërkojnë drejtësi!
Merita Dedaj përballë kriminelit Millosheviq!
Merita Mark Dedaj, ballë për ballë, si heroinë akuzon kryekriminelin Millosheviq, si autor dhe përgjegjës për masakrën e 27 prillit 1999, me ç’rast si nxënëse 16-vjeçare kishte përjetuar atë krim dhe masakër të babait të saj Markut dhe dhjetëra të afërm të familjes së ngushtë Dedaj!
Në pyetjen e Millosheviqit se kusht e ka bërë këtë masakër, Merita Dedaj pa ju dridhur syri i thotë kryekriminelit Millosheviq ‘se ti e ke bërë këtë dhe ti e din këtë mirë’ duke i thënë se ‘me ke lënë pa babë, pa axhë dhe pa askënd…!’”.
Prioritet i “drejtësisë” ndërkombëtare ka qenë zbardhja e gjenocidit serb në Kosovë, vrasja e civilëve dhe fëmijëve shqiptarë, dhunimi i mijëra femrave shqiptare, zbardhja e fatit të mijëra të zhdukur, si dhe shkatërrimi i Kosovës.
Duke mos pasur mundësi, me dashje apo nga trysnitë politike, të kapen dhe ndiqen penalisht qindra lider politik, zyrtarë dhe komandant kriminel të Serbisë së Millosheviqit, “drejtësia” ndërkombëtare, tenton të balancon dhe amniston krimet serbe duke përndjekur liderët çlirimtar të UÇK-së, të cilët në partneritet dhe aleancë me NATO, ShBA-ja dhe BE-ja u vetëmbrojtën dhe arritën nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, me 18 mars 1999, duke u koordinuar dhe hapur rrugë ndërhyrjes së NATO-s kundër caqeve serbe, të cilat ushtronim terror në Kosovë.
Nga ky proces politik kundër UÇK-së në Hagë, jemi të indinjuar, të fyer dhe të shokuar, ne familjarët e martirëve, dëshmorëve dhe të rënëve heroikisht për lirinë e Kosovës, sepse balancimi i krimeve serbe me luftën vetëmbrojtëse të UÇK-së në pragun e shtëpisë, në fakt është tendencë për denigrimim dhe përmbysjen e lirisë, njollosjen e pavarësisë dhe dëmtimin e historisë së përgjakshme të popullit të Kosovës!



