FSK-ja pjesëmarrëse në ushtrimin ‘Dynamic Front 26’ në Gjermani
10 shkurt 2026
| 15:58
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i këmbësorisë me një togë të mortajave është duke marrë pjesë në ushtrimin ndërkombëtarë “Dynamic Front 26” , i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF).
Është bërë me dije se “Dynamic Front 26” është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
Këtë vit, ushtrimi është realizuar paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi. FSK-ja ka zbarkuar në Gjermani, në Grafenwöhr Training Area, me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.
“Kontingjenti i FSK-së, ka vepruar bashkëngjitur me regjimentin 4-319 të artilerisë fushore të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – vijën e zjarrit, Qendrën e drejtimit të zjarrit dhe vëzhguesit e përparëm si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane. Gjatë ushtrimit fushor ‘Dynamic Front 26’, FSK-ja ka demonstruar përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere”, ka njoftuar FSK-ja.




