Ditët vendimtare në Hagë
Gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku, po qëndron tashmë që një javë në Hagë, nga ku po përcjell zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku gjatë kësaj jave janë mbajtur fjalët përmbyllëse të Prokurorisë dhe më pas të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim prej pesë vitesh.
Ajo ka bërë të ditur se në ditët përmbyllëse është vërejtur interesim më i madh i qytetarëve për të ndjekur nga afër procesin gjyqësor.
Sipas saj, interesimi nga qytetarët e Kosovës për të marrë pjesë në dy seancat e fundit, më 16 dhe sidomos më 18, kur pritet të flasë edhe katërshja e UÇK-së, është jashtëzakonisht i madh.
Mujku ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme pritet të marrë fjalën edhe një avokat tjetër shqiptar, përpos Furtuna Sheremetit.
“Furtuna Sheremeti nuk do të jetë avokatja e vetme shqiptare, zëri i së cilës do të dëgjohet në fjalët përmbyllëse këtu në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Është e rëndësishme që edhe një avokat tjetër do të flasë në këtë proces gjyqësor, sepse gjatë ditës së nesërme avokati tjetër, Mentor Beqiri, do të marrë fjalën. Ai do flasë për mënyrën e krijimit të UÇK-së, zakonet dhe të drejtën zakonore të shqiptarëve për mbrojtjen e shtëpisë dhe tokës, si dhe arsyet që çuan në krijimin e guerilës me synim mbrojtjen e vendit dhe luftën për liri e pavarësi”, tha mes tjerash Mujku.
Ndiqni raportimin e plotë të gazetares, drejtpërdrejt nga Haga:



