Komandanti suprem i forcave aleate për Evropë: NATO është shumë më e fuqishme ushtarakisht se Rusia
Kapacitetet ushtarake të NATO-s janë dukshëm më të fuqishme se ato të Rusisë, ka deklaruar komandanti suprem i Aleancës për Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”.
Në intervistën e publikuar të premten, Grynkewich tha se kapacitetet ushtarake që Aleanca do të angazhonte në një konflikt të madh “tejkalojnë shumë ato të Moskës”. Ai vuri në dukje se Rusia nuk posedon avionë luftarakë modernë F-35 dhe as numrin e madh të shkatërruesve dhe nëndetëseve moderne që ka NATO-ja, raporton Yahoonews.
Gjenerali tha se ishte i bindur që Rusia nuk do të ndërmerrte një sulm konvencional në shkallë të gjerë ndaj Evropës. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po përdor metoda të tjera, si sabotazhi, sepse nuk ka alternativa të tjera, duke shtuar se Putini nuk dëshiron një konflikt të drejtpërdrejtë.
Kjo, sipas tij, vjen si rezultat i parandalimit konvencional. Ai theksoi se ky kapacitet duhet të ruhet, krahas modernizimit të forcave të armatosura të NATO-s, zhvillimit të stërvitjeve të gjera ushtarake dhe demonstrimit të kapaciteteve.
I pyetur nëse veprimet e Rusisë duhet të cilësohen si luftë në “hije”, gjenerali me katër yje tha për “Der Spiegel” se termi “sulme hibride” është tepër i paqartë.
“Duhet t’i quajmë gjërat me emrin e tyre: sabotazhi, zjarrvënia apo sulmet terroriste janë terma të saktë, me përgjigje të qarta”, tha ai.
I pyetur nëse Evropa është tashmë në luftë me Rusinë, Grynkewich u përgjigj se Putini po luan një “lojë të rrezikshme”.
“Ai dëshiron t’i bindë qytetarët tanë se është e rrezikshme të mbështesësh Ukrainën dhe se kjo mund të përfundojë në një luftë me Rusinë”. Deri më tani, për fat të mirë, kjo strategji nuk po funksionon, tha gjenerali amerikan.
Frika e Moskës për Kaliningradin është e pabazuar
Pas kërcënimeve të fundit nga Moska se izolimi apo edhe sulmi ndaj enklavës ruse të Kaliningradit do të shkaktonte luftë, Grynkewich theksoi se NATO-ja është një aleancë mbrojtëse dhe do të vepronte vetëm nëse do të sulmohej.
“Prandaj, Rusia nuk ka nevojë të shqetësohet për Kaliningradin”, shtoi ai.
Megjithatë, nga këndvështrimi ushtarak, ai tha se mund të vërehej se Rusia ishte dobësuar në Kaliningrad për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa NATO-ja ishte forcuar në rajonin e vendeve baltike.
“Situata atje është ushtarakisht e pafavorshme për Rusinë”, deklaroi Grynkewich.
Ai shtoi se stërvitjet e NATO-s në krahun e saj lindor janë rutinë dhe se Aleanca tregohet e kujdesshme për të shmangur çdo veprim që mund të interpretohet si agresion.
Sulmi ndaj aeroportit të Lajpcigut kaloi një vijë të kuqe
Duke folur për sulmin e pasuksesshëm në gusht ndaj aeroportit të Lajpcigut, për të cilin qeveria gjermane mban përgjegjëse Rusinë, Grynkewich tha se edhe vetë tentativa përbënte një shkelje të rëndë.
Nëse sulmi do të kishte pasur sukses, disa avionë të tipit Antonov, të mbushur plot me karburant, do të ishin hedhur në erë dhe me gjasë do të kishte pasur viktima, tha ai. Sipas hetuesve gjermanë, objektiv i sulmit ishin avionët ukrainas të transportit të mallrave.
Duke pasur parasysh rëndësinë e dronëve në luftërat në Ukrainë dhe Iran, gjenerali tha se NATO-ja duhet t’i përmirësojë me shpejtësi kapacitetet në këtë fushë.
“Na nevojiten sasi të mëdha dronësh sulmues njëpërdorimësh, raketa lundruese më të lira dhe shumë më tepër”, tha ai.



