Certifikohen 18 operatorë të njësive speciale të Policisë së Kosovës në mjekësinë emergjente

16 tetor 2026 | 15:58

Tetëmbëdhjetë operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës janë certifikuar pas përfundimit me sukses të trajnimit njëmujor “Avancimi i njohurive bazike në mjekësinë emergjente”, i cili është realizuar në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Ceremonia e ndarjes së certifikatave është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është vlerësuar rëndësia e këtij trajnimi për avancimin e aftësive praktike të pjesëtarëve policorë në ofrimin e ndihmës së parë dhe reagimin në situata emergjente.

Sipas policisë, trajnimi kishte për qëllim pajisjen e operatorëve me njohuri dhe shkathtësi praktike për përballimin e rasteve të ndryshme emergjente shëndetësore në terren, duke ndikuar në rritjen e gatishmërisë operative dhe në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në ceremoninë e certifikimit kanë marrë pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin profesional të personelit policor.

Kolonel Taibe Canolli dhe kolonel Mentor Shabani, në emër të Policisë së Kosovës, kanë falënderuar ShSKUK-në, veçanërisht Klinikën Emergjente, për mbështetjen dhe përkushtimin profesional në realizimin e trajnimit.

Policia e Kosovës dhe ShSKUK-ja kanë ritheksuar gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale.

“Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së pjesëtarëve policorë për reagim të shpejtë dhe efektiv në situata emergjente, me synim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Adea Azemi, në moshën vetëm 7-vjeçare, ka fituar titullin e…