‘Kemi identifikuar grupe që bëjnë thirrje për akte terroriste’, drejtori i Sigurisë Publike: 127 arrestime dhe 120 policë të lënduar

16 tetor 2026 | 16:23

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, ka bërë me dijese 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj efektivëve, në disa qytete të vendit janë dëmtuar 120 punonjës policie.

Ziu ka theksuar gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, në të cilat janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente, në Tiranë janë arrestuar 127 shtetas dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe dëmtim të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike. Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 23 shtetas dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta ndaj punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike e private”.

“Në Korçë janë arrestuar dy shtetas dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për kundërshtim dhe ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike. Në Vlorë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 20 shtetas, për pengimin e zhvillimit të procesit mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtimin e punonjësve të Policisë, goditjen me sende të forta të fasadës së një institucioni, si dhe dëmtimin e pronës publike.
Në Shkodër janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nëntë shtetas, për kundërshtim dhe goditje me sende të forta ndaj punonjësve të Policisë, si dhe për shkatërrimin me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve shtetërore dhe të pronave publike e private.
Gjatë protestës është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore. Autori i plagosjes është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës”.

“Në Elbasan janë proceduar penalisht në gjendje të lirë gjashtë shtetas, për dëmtimin e xhamave të godinës së një institucioni shtetëror, të sinjalistikës rrugore, të tabelave të reklamave dhe të pronës publike. Në Kukës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhjetë shtetas, për dëmtimin e sinjalistikës rrugore, të tabelave dhe të reklamave. Ndërkohë, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, deri më tani janë dëmtuar 120 punonjës policie. Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në hapësirën virtuale. Gjatë monitorimeve intensive janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, përmes të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, përfshirë thirrje për kryerjen e akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë situatë, ai ka thënë se është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat që lidhen me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme.

“Po ashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste. Përdorimi i rrjeteve sociale përmes llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’u shërbejë individëve apo grupeve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit. Këta persona janë aktualisht subjekt i një procesi hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, me qëllim vlerësimin e synimeve dhe veprimeve të tyre destabilizuese, të cilat paraqesin rrezik për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit”.

“Gjithashtu, Policia e Shtetit shpreh keqardhje për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe, të cilat synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar një klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit. Policia e Shtetit përsërit apelet e bëra gjatë ditëve të fundit, duke u bërë thirrje qytetarëve pjesëmarrës në protesta që të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës dhe shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla do të përballen me forcën e ligjit. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

“Çdo efektiv ndaj të cilit ushtroni dhunë është aty për të kryer detyrën që i është caktuar. Ai është i betuar për kombin dhe flamurin dhe bashkëjeton çdo ditë në të njëjtin terren me ju.
Ndërkohë, drejtuesit e Policisë në terren udhëzojnë vazhdimisht punonjësit e Policisë, jo vetëm gjatë instruktazheve, por edhe gjatë kryerjes së detyrës në terren, që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet, pavarësisht situatave kur përballen me sulme të rrezikshme apo ndërhyjnë për të mbrojtur institucionet”, është shprehur Ziu.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Real Madrid ka publikuar një komunikatë zyrtare kundër Javier Tebas,…