UÇK si shtyllë e tejkalimit të ndasive politike

17 shkurt 2026 | 21:35

Shkruan: Ethem Çeku

Sot, në marshin protestues, udhëheqësit institucionalë u rreshtuan në mbrojtje të konceptit të lirisë, duke afirmuar vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurat e saj si pjesë të themelit moral dhe historik të shtetit. Prania e Presidentes, e Kryeministrit, e Kryetares së Kuvendit dhe e Ministrit të Punëve të Jashtme dëshmoi se dallimet dhe nuancat politike u tejkaluan në një moment të përbashkët institucional, ku UÇK-ja u shfaq si faktor bashkues dhe si pikë referimi e përbashkët e legjitimitetit shtetëror.

Liria, në kuptimin politik, nuk është vetëm çlirim nga sundimi, por aftësi kolektive për vetëvendosje dhe për ndërtimin e një rendi institucional të bazuar në vullnetin e shoqërisë. Përvoja historike e Kosovës, e formësuar përmes një periudhe të gjatë dhune strukturore, përjashtimi politik dhe represioni shtetëror, e shndërroi lirinë nga aspiratë në domosdoshmëri historike dhe në një orientim të qëndrueshëm politik.

Në këtë proces, rezistenca e armatosur dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë momentin kulmor të artikulimit të së drejtës për liri dhe vetëvendosje. UÇK-ja nuk përfaqëson vetëm një organizim ushtarak të kohës së luftës, por një referencë historike dhe politike që tejkalon ndasitë partiake dhe ideologjike, duke funksionuar si një bazë e përbashkët e identitetit politik dhe shtetëror.

Reagimi i përbashkët institucional dhe shoqëror ndaj çdo sfide ndaj legjitimitetit të kësaj përvoje dëshmon se liria është një proces i pandalshëm dhe një burim themelor i kohezionit politik. Në këtë kuadër, qëndrimi politik i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si dhe angazhimi i Ali Ahmetit në mbështetje të vlerave të luftës dhe të së drejtës për liri, reflektojnë dimensionin më të gjerë kombëtar të kësaj ndërgjegjeje politike. Po ashtu, qëndrimi i qartë dhe i vazhdueshëm i përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtje të lirisë dhe të legjitimitetit të rendit të dalë nga lufta çlirimtare përbën një faktor të rëndësishëm në konsolidimin ndërkombëtar të kësaj vlere themelore.

Në këtë kuptim, Republika e Kosovës përfaqëson institucionalizimin e këtij konsensusi historik, ndërsa UÇK-ja mbetet shtylla simbolike dhe politike mbi të cilën ndërtohet tejkalimi i ndasive dhe ruajtja e unitetit rreth vlerave themelore të lirisë dhe të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, në sheshin “Skënderbeu”, mbi 130 mijë njerëz kanë kërkuar…