Kosova dhe Malta shkëmbejnë përvojat profesionale në auditimin publik
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj, drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani dhe shefja e kabinetit, Shqipe Çavdarbasha, ka vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës dhe u prit në takim nga Auditori i Përgjithshëm, Charles Deguara me bashkëpunëtorë.
Vizita dyditore pati për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjes. “Edhe pse vendet tona dallojnë për nga relievi, ne jemi të bashkuar nga një qëllim: t’u shërbejmë qytetarëve tanë me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi. Institucionet tona kanë një përgjegjësi jetike në forcimin e llogaridhënies, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e besimit publik. Vlera e vërtetë e punës sonë arrihet kur rekomandimet tona sjellin përmirësime të qëndrueshme dhe konkrete”, deklaroi Spanca.
Përfaqësuesit e dy institucioneve mbajtën sesione të përbashkëta pune ku prezantuan praktikat dhe përvojat e tyre mbi auditimin e performancës, lidershipin, organizimin institucional, strategjinë e komunikimit, rishikimin nga kolegët (SIGMA Peer Revieë 2023), si dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve.
Auditorët e Përgjithshëm nga të dyja vendet në përmbyllje të vizitës riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave profesionale në funksion të forcimit të rolit dhe ndikimit të auditimit publik në Kosovë dhe Maltë.



