Molliqaj: Hamza dhe Abdixhiku me qasje naive, vendi duhet të shkojë në zgjedhje, jo t’ia zgjedhin Kurtit presidentin
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj e ka quajtur “servil të Albin Kurtit” kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Gjatë një aksioni simbolik te selia e LDK-së, Molliqaj ka thënë se Abdixhiku dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza po i shërbejnë “hegjemonisë” së Albin Kurtit në çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Molliqaj ka kritikuar Hamzën dhe Abdixhikun për “qasje naive” dhe “vetëm për interesa të ngushta”.
“Ne duhet me qenë këmbëngulës që me i mbajtur përgjegjës. Nuk është çështje e një emri të presidenti, çështja është që kjo i shërben këtij pushteti. Pas pesë vitesh mbërrijmë në pikën kur do të flasim për dëmet që shkaktohen”, ka thënë ai.
Molliqaj ka thënë se vendi “duhet të shkojë në zgjedhje”.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, e jo me ia zgjedhë presidentin. Populli i Kosovës nuk ia ka dhënë 80 deputetë Albin Kurtit për me e zgjedhë presidentin. Populli i Kosovës ia ka dhënë 51% për me e zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. Le t’ia jep populli. Pse po ia jep ti në emër të popullit”, ka thënë ai.



