Me platformë të kujt po protestojnë “studentët”?

17 tetor 2026 | 15:11

Shkruan: Astrit Gashi 

Historia e kombit tonë ka një standard të artë për rolin dhe peshën e rinisë: Kosovën.
Kur studentët e Prishtinës ngritën krye në vitet ’81 dhe ’97, ata nuk dolën në rrugë për të thyer dritaret e qytetit të tyre, as për të mbushur xhepat, e aq më pak për të djegur ato pak institucione që na shtypnin përditë. Ajo lëvizje e madhe kishte platformë, kishte vizion, kishte moral dhe mbi të gjitha, kishte një koncept të qartë: LIRINË.

Nga ajo vatër e guximshme intelektuale lindi ndërgjegjësimi kombëtar prej saj shpërtheu lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, me radhë, erdhi Pavarësia. Studentët e asaj kohe ishin arkitektët e historisë.

Prandaj, përballja me pamjet e kësaj jave në Tiranë është e dëshpërueshme pothuajse në përmasat e një tragjedie kombëtare. Sot në rrugët tona po konsumohet diçka shumë më e rëndë: një degradim i paprecedentë i vetë nocionit të protestës.

Ndryshe nga paraardhësit e tyre në Prishtinë, të cilët i dhanë frymë e drejtim një populli të tërë, grupet që sot pretendojnë se përfaqësojnë studentët duken të çorientuara, pa asnjë platformë ideore dhe pa asnjë artikulim intelektual.

Kur vetë studentët pranojnë që kauza e tyre të transformohet në djegie institucionesh, në goditje gurësh e molotovësh mbi trupat e policisë, apo në skena kaosi ku adoleshentët vjedhin në mes të rrugës, ata e kanë dorëzuar misionin e tyre. Ata nuk janë më bartës të ndryshimit.

Kur një protestë zhvishet nga platforma, nga kërkesat e qarta dhe nga guximi për të dëbuar provokatorët nga radhët e veta, ajo humb të drejtën të quhet protestë. Duke heshtur përballë huliganizmit, studentët e sotëm po shndërrohen në “mish for top” dhe në një vegël të keqpërdorur në duart e atyre që e duan kaosin për llogari të veta politike.

Për më tepër, në një kohë kur presioni ndaj qeverisë arrin pikën kritike për shkak të skandaleve financiare e politike, asgjë nuk u shërben më mirë kabineteve të korruptuara se sa flakët në rrugë.
Pushteti korruptiv, nga fajtor kryesor, shndërrohet brenda natës në “garant të rendit dhe sigurisë”. Dhe një gjë është e qartë: adoleshentët që vjedhin në mes të kaosit nuk mund të jenë kurrsesi studentë.

Këtij teatri absurd i shtohet edhe ajo që sot pretendohet se është “media”. E zhveshur nga çdo etikë profesionale, e mbushur me çdokënd që mban një mikrofon apo celular pa pasur nocionin më minimal të gazetarisë.

Ndërsa shteti lëkundet dhe ligji nuk vepron, tragjedia më e madhe mbetet tjetërsimi i rinisë. Nëse në Kosovë lëvizja studentore lindi nga sakrifica për të ndërtuar shtet e dinjitet, sot po shohim një rini që po lejon përdhosjen e kauzës qytetare.

Nëse studentët nuk zgjohen për të ndërtuar një platformë të vetën të pastër, autonome, intelektuale dhe të distancuar prerazi nga dhuna dhe provokimet ata do të hyjnë në histori jo si trashëgimtarë të idealeve të ’81-shit e ’97-ës, por si figurantë që dogjën rrugët për të mbuluar skandalet e të tjerëve. Ndersa kjo jep dyshime se platforma e tyre mund të jetë hartuar dhe në shtetet fqinjë

Zjarri, dhuna dhe shkatërrimi nuk kanë qenë kurrë mjetet e studentit. Mjeti i vetëm i studentit është mendja, fjala e lirë, dinjiteti dhe forca e moralit. Kur studenti kap gurin dhe harron librin, ai e ka humbur betejën pa e nisur ende atë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në kuadër të edukimit dhe aksionit pedagogjik, ruajtja e kujtesës…