Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran
Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.
Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.
Fotografitë e publikuara më 1 mars, tregojnë dëme të konsiderueshme në bazat e raketave, radarët dhe objektet për avionë në Iran, pas një vale sulmesh ajrore të koordinuara nga ShBA-ja dhe Izraeli. Disa fotografi tregojnë edhe kompleksin në Teheran të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në një sulm më 28 shkurt.
Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, ka emëruar gjeneralin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Majid Ebnolreza, ministër të përkohshëm të Mbrojtjes.
Më herët, ai shërbente si zëvendësministër kryesor i Aziz Nasirzadehut, i cili u vra në një sulm izraelit, më 28 shkurt. “Me urdhër të presidentit Pezeshkian, gjenerali i brigadës, Seyyed Majid Ebnolreza, është emëruar ministër i përkohshëm i Mbrojtjes”, shkroi Mohammad
Mehdi Tabatabaei, nga zyra për komunikim e Pezeshkianit, në rrjetet sociale.



