Abdixhiku në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Popujt maten me shpirtin dhe gatishmërinë për sakrificë
Në seancën solemne të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku theksoi se në momentet vendimtare popujt nuk maten me numra apo territore, por me shpirtin dhe gatishmërinë për sakrificë.
Abdixhiku foli për sakrificën e Adem Jasharit.
“Këto prova të thella morale shtrojnë një dilemë sot thjesht, ashtu edhe të rëndë për shumë gjenerata. Dilemën dhe pyetjen se për çfarë është një popull i gatshëm të jetojë dhe çfarë është i gatshëm të sakrifikojë. Në ato çaste, popujt nuk maten më me numra, nuk maten as me territore, edhe më pak me forcë luftarake. Ata maten me shpirtin e tyre, me gatishmërinë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë të shenjtë, më të shenjtë sesa veten e tyre. Në ato çaste vendimtare, historia kërkon njerëz që janë në lartësinë e saj. Njerëz që e kuptojnë se jeta e tyre nuk u përket më vetëm atyre, por është e destinuar për një fat shumë më të madh kombëtar”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Ai nderoi të rënët për liri dhe tha se sakrifica nuk është humbje por akt i krijimit.
“Ata janë njerëz që ndoshta lindin si të gjithë të tjerët, jetojnë si të gjithë të tjerët, porse në momentin e provës epokale ngrihen mbi frikën, mbi instinktin e mbijetesës që mund ta ketë secili prej nesh dhe bëhen bartës të një përgjegjësie shumë më të madhe se vetë jeta e tyre. Pra thënë shkurt: sakrifikohen. Tani sakrifica është akt madhështor, në fakt është akti më madhështor që qenia njerëzore në tokë, por edhe në raportin e saj me hyjnoren, pra me vetë Zotin, arrin ta ndërtojë. Sepse sakrifica nuk është vetëm akt i luftës, ajo është një filozofi e vetë jetës. Në këtë kuptim, sakrifica nuk është humbje. Ajo është një formë e rrallë e krijimit. Sepse përmes saj lind kuptimi më i thellë i një populli për vetveten”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku foli për krijimin e komandantit Adem Jasharit.
“Adem Jashari, para së gjithash një njeri i një vendi të shtypur, ishte një njeri i një toke jo të lirë, i një shtëpie shumë fisnike dhe i një familjeje me një kujtesë të trashëguar.
Në botën e përditshmërisë së tij, aty ku rrëfimet për qëndresën e brezave të mëparshëm përziereshin me jetën e përditshme të brezit të tij, historia nuk ishte diçka e largët. Ajo ishte një prani e vazhdueshme, e pranishme mes një ode të një kulla me plot miq. Mbi atë prani të vazhdueshme e të pranishme u krijua edhe Ademi”, tha i pari i LDK-së.



