Qeveria për deklaratën e Rashiq për 24 hektarët, Manxhuka thotë se ministrit iu plotësua një tjetër kërkesë

08 mars 2026 | 22:15

Qeveria ka reaguar pasi ministri Nenad Rashiq ka thënë se “Kurti për shkak të tij ia ka dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit.

Manxhuka ka thënë se Rashiq këtë e ka ngatërruar me pranimin e kërkesës së tij nga Kurti për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.

Ai tha se për Manstirin e Deçanit Kurti e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Postimi i plotë i Manxhukës:

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim.

Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim të fuqishëm prej 82%, me ç’rast 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës.

Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër.

Siç dihet, pas vendimit, në mars të vitit 2024, raportuesja Dora Bakoyannis shpërndau raportin e saj, ku konfirmoi që Kosova, pas zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, ka plotësuar të gjitha parakushtet për anëtarësim dhe duhet të ftohet të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pa parakushte shtesë.

Që nga dita e parë në Kurti 2 në mars 2021, nga ambasadorët e Quint-it por edhe nga ministri Rashiq është kërkuar zbatimi i aktgjykimit të GjK, por kjo ka ndodhur vetëm në kuadër të bisedimeve me raportuesen e Këshillit të Evropës, Bakoyannis, tre vjet më vonë, në mars 2024.

Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka reaguar ndaj deklaratës së…