Mbahet takimi i tretë i Komitetit Drejtues të projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”
Ministria e Ekonomisë (ME) ka mbajtur takimin e tretë të Komitetit Drejtues të projektit “Tranzicioni i energjisë dhe zbutja e klimës në Kosovë”, i financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Takimi u hap me një fjalë hyrëse nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes së vazhdueshme në avancimin e tranzicionit energjetik dhe përpjekjeve për zbutjen e ndryshimeve klimatike në Kosovë.
Ajo shtoi se përmes këtij projekti po forcohen kapacitetet institucionale dhe po avancohen politikat që mbështesin zhvillimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më të pastër.
Në vijim, në fjalën e tij, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, Shkëlqesia e tij Eric Dietz, rikonfirmoi përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në sektorin e energjisë dhe klimës.
Gjatë takimit u miratua rendi i ditës, ndërsa menaxheri i Projektit prezantoi progresin e arritur gjatë vitit 2025 në kuadër të projektit. Po ashtu, u prezantua Plani Vjetor Operativ për vitin 2026, si dhe programimi financiar për të njëjtin vit.
Pas prezantimeve, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime mbi aktivitetet e realizuara dhe prioritetet për periudhën e ardhshme, duke validuar drejtimet kryesore të zbatimit të projektit për vitin 2026.
Takimi u përmbyll me disa rekomandime përfundimtare nga pjesëmarrësit, ndërsa u dakordua që data e takimit të ardhshëm të Komitetit Drejtues të përcaktohet në koordinim ndërmjet palëve.
Ky projekt paraqet një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe për të forcuar politikat për zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Në këtë takim, përveç ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Luksemburgut, Eric Dietz, morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, përfaqësuesi rezident i LuxDev në Kosovë, Giovanni Tordini, Jessica Spaus nga Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut, Virginie Le Couster dhe James Stewart nga LuxDev, Avni Zogiani dhe Servet Spahiu nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Jetlirë Krasniqi nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Arian Lila nga Ministria e Ekonomisë, Arta Hoxha dhe Brikena Muçolli nga LuxDev, Gent Berisha nga KIESA si dhe Petrit Ahmeti nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.



