Nga “revolucioni i shamijave të kuqe” te legalizimi i strukturave të Serbisë

14 mars 2026 | 20:29

Shkruan: Hisen Berisha 

(Dilema themelore që shtrohet sot është se a po ndërtohet një shtet sovran që integron qytetarët në sistemin e vet, apo po krijohet një model ku sistemi i Serbisë legalizohet gradualisht brenda territorit të Kosovës, dhe ga retorika e revolucionit kundër Serbisë, po kalojmë në realitetin e institucionalizimit të pranisë së saj në Kosovë.)

Këtë e kam thënë edhe në foltoren e Kuvendit dhe po e përsëris edhe tani, se me çdo veprim dhe vendim që nga ardhja në pushtet në tetor të vitit 2019, dhe veçanërisht gjatë mandatit të plotë që nga 14 shkurti 2021, qeverisja e Albin Kurtit ka lëviz hap pas hapi drejt një politike që cenon interesat e shtetit të Kosovës, që në gjuhën juridike ndërkombëtare ka rrëshqitur në tradhti ndaj interesave kombëtare.

Ajo që fillimisht u shfaq si një retorikë revolucionare kundër “kompromiseve të dëmshme”, kundër politikave për konsolidimin institucional të shtetit të Kosivës pas pavarësis, sot po përfundon në një seri veprimesh dhe vendimesh konkrete që jo vetëm i pranojnë, por edhe i legjitimojnë strukturat dhe dokumentet e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Lista e këtyre vendimeve është e gjatë dhe shqetësuese.

Së pari, është Plani franko-gjerman, me theks të veçantë Marrëveshja Aneks e Ohrit, i cili u pranua ndesh me frymën e Kushtetutës dhe deklaratën e pavarësisë dhe pa mandat të qartë politik. Në këtë proces u hap rruga edhe për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar në kornizë ndërkombëtare duke ju referuar Rezolutës 1244, dhe i imponuar si obligim për Kosovën.

Në sfondin e gjithë këtyre zhvillimeve që sot po shfaqen si vendime konkrete politike, duhet kujtuar edhe një kapitull tjetër i errët i kësaj qeverisjeje, siç janë bisedimet e zhvilluara me Beogradin gjatë periudhës së bllokadës institucionale paszgjedhore të viteve 2025–2026. Ndërkohë që vendi ishte i zhytur në krizë politike dhe institucionet ishin të paralizuara, zhvilloheshin negociata të heshtura, jo vetëm në Bruksel, por edhe në takime të padeklaruara në Zvicër. Përmbajtja e atyre bisedimeve nuk iu bë kurrë e ditur opinionit publik dhe institucioneve të Kosovës. Sot, kur po shohim vendime që legjitimojnë dokumentet dhe strukturat e sistemit paralel serb, lind dyshimi i arsyeshëm se shumë nga këto zhvillime janë në fakt pasojat e marrëveshjeve të arritura në ato negociata të fshehta.

Së dyti, janë vendimet që prekin drejtpërdrejt sovranitetin institucional dhe funksional të shtetit si:
– legjitimimi i tagrave dhe praktikave administrative të mbetura nga koha e regjimit të Millosheviçit;
– mospërfshirja e katër komunave veriore në zonën energjetike të Kosovës;
– heqja e “letrës së bardhë” që zëvendësonte pasaportën e Republikës së Kosovës për qytetarët që kalonin kufirin me Serbinë, dokument në të cilin vulat vendoseshin në pikëkalimet Kosovë-Serbi dhe anasjelltas.

Në vend të forcimit të dokumenteve të shtetit të Kosovës, realiteti që po ndërtohet është tjetër, është njohja dhe tolerimi i dokumenteve të lëshuara nga sistemi paralel serb, siç është rasti me pasaportat e liberalizuara.

Pasaportat që lëshohen nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, të bazuara në të dhënat e gjendjes civile të komunave të Kosovës, vazhdojnë të ekzistojnë si dokumente të një sistemi paralel. Ato përdoren nga qytetarët serbë dhe gëzojnë legjitimitet ndërkombëtar për lëvizje, duke krijuar një dualizëm juridik që e minon sovranitetin e shtetit tonë.

Vendimi i fundit i qeverisë për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe regjistrimin e qytetarëve serbë e thellon edhe më tej këtë paradoks politik dhe juridik.

Nga data 15 mars parashihet që qytetarët serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi, ndërsa për regjistrimin e fakteve civile do të pranohen si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga strukturat ilegale serbe.

Pra, dokumentet e një sistemi paralel që për vite me radhë janë konsideruar të paligjshme, tani shndërrohen në bazë për integrim administrativ.

Në të njëjtën kohë, lëvizja për regjistrimin masiv të qytetarëve serbë përmes pranimit të dokumenteve të strukturave ilegale nuk është vetëm një çështje administrative apo humanitare, siç paraqitet nga qeveria. Ajo ka edhe një dimension të qartë politik dhe demografik. Përmes këtij procesi synohet rritja artificiale e numrit të qytetarëve serbë në statistikat zyrtare të Kosovës, duke e shtyrë atë drejt shifrës prej mbi 400 mijë banorësh. Një zhvillim i tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në kriterin e multietnicitetit mbi të cilin është ndërtuar arkitektura kushtetuese e Kosovës, duke krijuar baza të reja për kërkesa politike, për privilegje institucionale dhe për zgjerim të mekanizmave të autonomisë etnike brenda shtetit.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit politikë të serbëve deklarojnë hapur se institucionet arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë do të vazhdojnë të funksionojnë në sistemin e Serbisë, ndërsa Serbia dhe zyrtarët e saj e përshëndesin këtë zgjidhje si një lehtësim për popullin serb. Kjo qon në hapin e rradhes, i cili do te jet legalizimi i shëndetësis dhe arsimit paralel.

Kjo është pika ku narrativa politike e Albin Kurtit bie ndesh me vetveten.

Sepse është pikërisht ky kryeministër që për vite të tëra ndërtoi një kauzë politike mbi akuzën e “tradhtisë” ndaj udhëheqësve të mëparshëm të Kosovës. Ai e shpalli integrimin e strukturave paralele në institucionet e Kosovës, proces të zhvilluar gjatë dialogut të mëhershëm, si kapitullim ndaj Serbisë.

Me atë narrativë u organizua revolucioni simbolik i “shamijave të kuqe”, u shpall slogani “20 vjet shkatërrim” dhe u krijua një diskurs politik ku udhëheqësit e luftës, të lirisë dhe të shtetndërtimit u barazuan me tradhtinë dhe me Serbinë.

Sot, në mënyrë ironike dhe paradoksale, po ndodh e kundërta.

Qeveria e tij jo vetëm që nuk i ka shuar strukturat paralele serbe, por në shumë raste po krijon mekanizma për legalizimin administrativ dhe funksional të tyre.

Nga retorika e revolucionit kundër Serbisë, po kalojmë në realitetin e institucionalizimit të pranisë së saj në Kosovë.

Në këtë kontekst, paralajmërimi i dikurshëm i Kadri Veselit merr një dimension të ri politik. Ai kishte thënë se nëse Albin Kurti bëhej kryeministër, “kravata do t’i rrijë mirë, por sherrin do ta shohë Kosova, sepse Serbia do të kthehet në Kosovë”.

Sot, shumë nga zhvillimet që po ndodhin në terren, nga dokumentet, te institucionet dhe deri te mekanizmat e administrimit, po e bëjnë këtë paralajmërim të tingëllojë gjithnjë e më pak si një retorikë politike dhe gjithnjë e më shumë si një diagnozë të saktë të një kursi të gabuar shtetëror.

Dhe kjo është dilema themelore që shtrohet sot para opinionit publik, se a po ndërtohet një shtet sovran që integron qytetarët në sistemin e vet, apo po krijohet një model ku sistemi i Serbisë legalizohet gradualisht brenda territorit të Kosovës?

Sepse nëse dokumentet e strukturave ilegale pranohen si bazë identifikimi, nëse institucionet e Serbisë vazhdojnë të funksionojnë paralelisht dhe nëse vendimet strategjike merren përmes presionit ndërkombëtar pa konsensus të brendshëm, atëherë rreziku nuk është më thjesht politik.

Ai bëhet rrezik për vetë arkitekturën e shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e ka quajtur një lajm…