“Reka e Keqe” në historinë e re të Kosovës: Trevë kyçe e rezistencës dhe luftës për liri (I)

15 mars 2026 | 14:49

Shkruan: Haxhi Kamberi

Reka e Gjakovës përbën një trevë të rëndësishme gjeografike dhe etnografike në Kosovë. Ajo ndahet tradicionalisht në dy nënrajone: “Rekën e Mirë” dhe “Rekën e Keqe”. Këto dy njësi territoriale kanë pasur rol të veçantë në zhvillimet historike, shoqërore dhe politike të rajonit të Gjakovës dhe më gjerë.

“Reka e Keqe” shtrihet në pjesën veriperëndimore të komunës së Gjakovës dhe përfshin një grup fshatrash që shtrihen nga rrëzat e maleve të Junikut dhe të Koshares, përgjatë lumit Erenik, deri në afërsi të Gjakovës. Për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe lidhjeve të drejtpërdrejta me kufirin shqiptaro-shqiptar, kjo trevë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shumë procese historike, si të shekullit XIX dhe veçanërisht gjatë periudhës së fundit të shekullit XX.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të trajtojë në mënyrë të plotë historinë e kësaj treve, gjë që kërkon hulumtim të gjerë dhe punë të mirëfilltë shkencore, por të ndalem në mënyrë përmbledhëse në disa nga zhvillimet kryesore të historisë së saj më të re, pikërisht në periudhën e viteve ’90 dhe të luftës së fundit në Kosovë. Sepse, në këto zhvillime kam qenë edhe vet pjesëmarrës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë, së bashku me familjarë dhe shumë banorë të këtij rajoni.

Ky reflektim nxitet edhe nga nevoja për të dokumentuar sado pak dhe për të ruajtur të vërtetën historike, në një kohë kur në diskursin publik, jo rrallë hasen përpjekje për anashkalim, relativizim apo shtrembërim të kontributit të rajoneve, apo individëve të caktuar në zhvillimet e fundit të shekullit XX, në Kosovë dhe më gjerë. Kjo ndodh shpesh nga individë me mendësi të ngushtë, nga qarqe që kanë kontribuar fare pak, ose aspak, por edhe nga qarqe të dyshimta që kanë qenë në anën e kundërt të historisë, dhe mbase mund të kenë agjendë për shtrembërimin e së vërtetës dhe mbjelljen e përçarjes.

Kontributi i “Rekës Keqe” në periudhën e paraluftës

Gjatë viteve të paraluftës në Kosovë, një numër i konsiderueshëm banorësh nga “Reka e Keqe” u përfshin në forma të ndryshme të rezistencës kundër pushtetit represiv serb. Kjo përfshirje u manifestua në disa fusha të rëndësishme të organizimit shoqëror dhe politik të shqiptarëve në Kosovë.

Së pari, banorët e kësaj ane, morën pjesë aktive në organizimin politik dhe në mbështetjen e strukturave që synonin ruajtjen e identitetit dhe të të drejtave kolektive të shqiptarëve. Një kontribut i rëndësishëm u dha edhe në mbrojtjen dhe organizimin e arsimit në gjuhën shqipe, i cili në atë kohë funksiononte kryesisht në kuadër të sistemit paralel arsimor. Po ashtu, në këtë rajon u zhvilluan iniciativa të rëndësishme për organizimin e sistemit paralel shëndetësor, i cili kishte për qëllim sigurimin e shërbimeve bazë për popullatën shqiptare në kushtet e përjashtimit institucional nga sistemi shtetëror serb i atëhershëm.

Një dimension tjetër i rëndësishëm ishte edhe organizimi ushtarak, i cili në fazat e hershme të tij përfshinte grupe të vogla të organizuara dhe strukturat e para të rezistencës së armatosur. Kontributi i banorëve të “Rekës Keqe” në këto procese nuk ishte i kufizuar vetëm në nivel lokal, por shtrihej edhe në rajonin e Gjakovës dhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Reka e Keqe” në fillimet e rezistencës së armatosur

Reka e Keqe ka shërbyer si një hapësirë e rëndësishme e veprimit për shumë aktivistë dhe luftëtarë të rezistencës shqiptare gjatë fillimit të viteve ’90. Kjo trevë ka qenë njëkohësisht shteg kalimi, strehë dhe zonë organizimi për shumë veprimtarë të angazhuar në përpjekjet për organizimin e rezistencës së armatosur. Në këtë kontekst, nga kjo trevë vijnë edhe disa nga viktimat e para të represionit serb ndaj veprimtarëve të organizimeve ushtarake shqiptare. Ndër ta janë Adem Zeqiri nga fshati Brovinë, i cili vdiq si pasojë e torturave të ushtruara nga policia serbe në stacionin policor në Ponoshec në vitin 1992, si dhe Ismet Gjocaj nga fshati Gjocaj i cili u arrestua nga policia serbe në malet e Gjocajve dhe Jasiqit dhe u masakrua në mënyrë çnjerëzore në stacionin policor të Deçanit (Irzniqit) në vitin 1997, për shkak të veprimtarisë së tij në mbështetje të grupeve të armatosura. U rrahën, maltretuan dhe gjymtuan edhe shumë të tjerë.

Roli strategjik gjatë luftës në Kosovë

Gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), rajoni i “Rekës Keqe” pati një rëndësi të veçantë strategjike. Pozita e saj gjeografike e bëri këtë zonë një nga arteriet kryesore të furnizimit me armë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të vitit 1998, një nga linjat kryesore të furnizimit me armë nga Shqipëria kalonte përmes fshatit Popoc në drejtim të Smolicës. Në këtë pikë, një numër i madh traktorësh dhe automjetesh të tjera ngarkoheshin me armë dhe vazhdonin rrugën përmes Stubllës, Berjahës, Nivokazit, Dobroshit dhe Pacajve, duke kaluar më tej në Hereq, Gramaçel dhe Gllogjan. Nga këto zona, armatimi shpërndahej në rajone të tjera të Kosovës, veçanërisht në Drenicë dhe në Llap.

Një linjë tjetër furnizimi kalonte përmes fshatit Morinë. Megjithatë, pas ofensivës së forcave serbe në fillim të majit të vitit 1998, këto linja u ndërprenë. Në këto rrethana u krijuan rrugë alternative furnizimi për mijëra luftëtarë të UÇK-së, përmes bjeshkëve të Junikut, Batushës, Nivokazit, Brovinës dhe Stubllës, duke vazhduar drejt Junikut, Dobroshit, Pacajve, Hereqit dhe më tej në fshatrat e Deçanit dhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në këtë rajon është e dokumentuar gjithashtu një nga dëshmitë e para për përfshirjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë serbe në luftime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konkretisht në fshatin Morinë (si argument është edhe raportimit  një gazetari gjerman). Po ashtu, në maj të vitit 1998 ndodhi edhe rasti i rrethimit dhe rrëmbimit nga ushtria serbe të pesë pjesëtarëve të UÇK-së në fshatin Popoc: Gazmend Ymeri (Bardheci), Sylejman Sadria, Nexhdet Zymberi, Avni Ahmeti dhe Agron Syla.

Mbështetja logjistike dhe organizimi civil

Përveç rolit në vijën e frontit, banorët e Rekës së Keqe dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe në mbështetjen logjistike të luftës. Ata siguruan strehim, ushqim dhe transport për qindra e mijëra luftëtarë që lëviznin çdo ditë drejt Shqipërisë për furnizim me armë ose që ktheheshin prej andej drejt zonave të luftës në Kosovë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë organizim, ishte edhe sistemi shëndetësor. Në këtë rajon shërbimi shëndetësor ishte organizuar që para fillimit të luftimeve, ndërsa në maj të vitit 1998, në fshatin Dobrosh u themelua spitali ushtarak me pajisje mjekësore, dhoma me shtretër, etj. që ofronte shërbim dhe kujdes shëndetësor 24 orë për luftëtarët, por edhe për popullsinë civile. Krahas shërbimeve mjekësore, aty funksiononte edhe shërbimi stomatologjik. Pas ofensivave të forcave serbe në verën e vitit 1998, pjesëtaret e shërbimit shëndetësor nga këto anë, organizuan dhe udhëhoqën shërbimin shëndetësor në Luftën e Koshares.

Betejat dhe pasojat e luftës

Në territorin e “Rekës Keqe”, gjatë luftës u zhvilluan disa nga betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si beteja e Koshares, Morinës, Smolicës, Junikut, Kallavajt (Dobrosh–Nivokaz), beteja në Gjocaj dhe Jasiq, e njohur si beteja e Zharrës, pastaj betejat në Ponoshec, Stubëll, Berjahë, Brovinë, , Shishman, Nec dhe zona të tjera.

“Reka Keqe” është ndër zonat me numrin më të madh të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , të rënë në vijën e frontit, në përballje me forcat serbe. Po ashtu, në këtë rajon, forcat serbe pësuan humbjet më të mëdha prej forcave të UÇK-es, duke lënë te vrarë dhe të plagosur një numër shumë të madh të ushtarëve, policëve dhe paramilitarëve.

Gjithashtu, “Reka Keqe” është ndër zonat që pësuan humbje më të mëdha në popullsinë civile në Kosovë. Masakra më e madhe gjatë luftës ndodhi në fshatin Meje, ku forcat serbe vranë afër 400 civilë shqiptarë brenda një dite. Përveç humbjeve njerëzore, gjithë rajoni pësoi edhe dëme të mëdha materiale. Pjesa më e madhe e shtëpive të banimit dhe objekteve të tjera, u shkatërruan si pasojë e djegieve, rrënimeve dhe granatimeve nga makineria e forcave serbe.

Gjatë kësaj lufte, forcat serbe shkatërruan dhe dogjën pothuajse të gjitha kullat e gurit të këtij rajoni, të njohura për vlera të rëndësishme kulturore, arkitektonike dhe historike.

Historia e re e “Rekës Keqe”, përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së rezistencës dhe të luftës për lirinë e Kosovës. Kontributi i kësaj treve shfaqet në forma të ndryshme: si nga organizimi politik dhe institucional në periudhën e paraluftës, organizimi dhe shfrytëzimi i rolit strategjik, atij logjistik dhe organizimi i mirë ushtarak gjatë luftës.

Ndërkaq, një pasqyrim më i plotë, më i balancuar dhe më transparent i kësaj historie, kërkon një punë të mirëfilltë hulumtuese, eksploruese dhe argumentuese. Për këtë kërkohet një punë serioze, një bashkëpunim ndërmjet studiuesve, dëshmitarëve dhe institucioneve përkatëse. Qëllimi parësor duhet të jetë që kontributi dhe roli i kësaj treve dhe i banorëve të saj, së bashku me kontributin e rajoneve të tjera si: “Rekës Mirë”, “Dushkajës”, qytetit të Gjakovës, “Hasit”, etj. të dokumentohet në mënyrë të drejtë dhe të ruhet në analet historike të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti ka…