Aktorja nga Kosova shkëlqen në skenën më të madhe të filmit

16 mars 2026 | 08:17

Filmi i shkurtër Two People Exchanging Saliva, ku luan aktorja nga Kosova Luana Bajrami, është shpërblyer me çmimin “Best Live Action Short Film” në ceremoninë e Academy Awards.

Në këtë film, Bajrami interpreton rolin kryesor në një histori të vendosur në një Paris të pazakontë, ku puthjet janë të ndaluara me ligj.

Rrëfimi paraqet një realitet absurd dhe të ftohtë, ku personazhet përballen me rregulla të çuditshme dhe kufizime të pazakonta.

Fitorja e këtij çmimi e vendos edhe emrin e Bajramit në skenën më të madhe të kinematografisë botërore, raporton Klankosova.

Aktorja me origjinë nga Kosova, nga fshati Pleshinë i Ferizajt, ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare pasi filmi ku ajo interpreton arriti të fitojë çmimin Oscar për filmin e shkurtër me aktorë.

Bajrami emigroi në Francë në moshën shtatëvjeçare. Ajo ka lindur më 14 mars 2001 dhe është bërë e njohur për paraqitjen në filmin Portrait of a Lady on Fire (2019) si dhe në School’s Out (2018).

Në vitin 2021 ajo debutoi edhe si regjisore me filmin The Hill Where Lionesses Roar, i cili pati premierën në Cannes Film Festival dhe më pas fitoi çmime në disa festivale ndërkombëtare, përfshirë Calgary International Film Festival dhe Raindance Film Festival.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmi ShBA-Izrael ndaj Iranit ka krijuar probleme të mëdha për…