Reçica: Për vite me radhë, Qeveria Kurti e la këtë projekt të ngrirë, pa asnjë arsye reale
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka kritikuar ashpër zvarritjen e ndërtimit të Spitalit Regjional të Ferizajt, duke e cilësuar atë si pasojë të një qeverisjeje të papërgjegjshme.
Sipas tij, projekti nuk u vonua rastësisht, por u mbajt i bllokuar për vite të tëra nga Qeveria Kurti, e cila, siç thekson ai, vendosi interesat politike mbi nevojat e qytetarëve. Reçica ka theksuar se mungesa e këtij spitali ka ndikuar drejtpërdrejt në mbi 250 mijë banorë të Ferizajt, Shtimes, Shtërpces, Kaçanikut, Hani i Elezit, si dhe një pjesë të Vitisë dhe Lipjanit.
Ai shtoi se për vite me radhë kishte ngritur këtë çështje në forma të ndryshme, përfshirë pyetje parlamentare dhe angazhime të tjera institucionale, por përballë një qasjeje bllokuese, përpjekjet e tij, sipas tij, janë injoruar.
Reçica ka deklaruar se, sipas planifikimeve të mëhershme gjatë qeverisjes së PDK-së, spitali do të duhej të ishte funksional që nga 15 qershori i vitit 2021. Ndërkohë, ai vlerëson se fillimi i tanishëm i punimeve nuk përbën arsye për vetëlavdërim, por është, sipas tij, dëshmi se vonesat kanë qenë të pajustifikueshme dhe pasojë e mungesës së vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale.



