Rrëfimi për tre fëmijët e mbytur në Ibër, ngjarja që shkaktoi trazira në mars të 2004-s

19 mars 2026 | 08:12

Janë bërë 22 vite nga trazirat e dhunshme të marsit 2004, për të cilat askush nuk u gjykua apo dënua për humbjet njerëzore dhe ato materiale.

Gjatë trazirave të 17 e 18 marsit 2004 u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, u lënduan mbi 900 persona dhe u shkatërruan objekte fetare e kulturore.

Këto trazira shpërthyen dhe eskaluan në gjithë Kosovën pas raportimeve se në lumin Ibër ishin mbytur tre fëmijë shqiptarë duke ikur nga një grup serbësh.

Në lumin Ibër ishin mbytur : Egzon Deliu (13-vjeç), Avni Veseli (12-vjeç) dhe Florent Veseli (9-vjeç). Tragjedisë i kishte shpëtuar një fëmijë tjetër.

Egzoni ishte vëllai i shtatë motrave.

Babai i tij, Zaim Deliu, në një rrëfim për KALLXO kujton ditën, e cila ia ndryshoi jetën për të keq.

“Për mua është tragjedia më e madhe në jetë. Fëmijët kanë dalë matanë lumit Ibër. I ka thënë një shok: ‘Hajde shkojmë t’i shohim a t’i zëmë do shota, puna e tyre… Atje u janë vërsulur serbët, i kanë bllokuar nga të gjitha anët edhe me qen. Është dashur të hyjnë në lumin Ibër, ku lumi ka qenë jashtë shtratit, ka qenë shumë i madh. Edhe aty, kur i bien lumit, tre fëmijë vdesin dhe një fatbardhësisht shpëton, Fitim Veseli” – rrëfen Zaimi.

Ëndrra e trishtë që e kishte parë se Egzoni kishte vdekur u bë realitet pas një jave.

“Një javë përpara e pash një ëndërr që ma mbytnin serbët dhe gati u trenova. Kur u zgjova, kur e pash duke fjetur, u qetësova. Brenda këtyre 22 viteve gjithë e kujtoj, por plagën që e kam marrë në zemër jam munduar mos me lanë me u zgjeru. Ajo plagë nuk shlyhet deri sa të vdes”-  tha ai.

Nga bashkëvendasit, Zaim Deliu shquhet si një burrë stoik, i fortë emocionalisht e i përmbajtur.

Zaimi tregoi momentin e fundit kur ishte Egzoni gjallë.

“Në shtëpi kam qenë duke i rregulluar, i pata marrë dy ‘Volvo’. Ai me Avniun erdhën, hëngrën bukë këtu dhe u nisën. Edhe unë jam çu, kam dashur t’i them kthehu se gati është makina. Edhe jam çu, e kam shiku për herën e fundit, nuk kam mundur të flas hiç. Ai ka qenë momenti i fundit që e kam parë gjallë dhe më pas vetëm kur erdhi lajmi që ka vdekur” – kujtoi ai.

Sikur nuk do i mjaftonte mungesa e përhershme e djalit, moszbardhja e rastit dhe neglizhenca e institucioneve të drejtësisë ia shtojnë dhimbjen.

“Absolutisht drejtësia nuk e ka bërë punën e saj. Në atë kohë kanë qenë ndërkombëtarët. Kam pasur biseda me ta, me sigurimin e tri shteteve më të fuqishme, edhe ata nuk kanë dashur të zbulojnë rastin. UNMIK-u, kanë qenë shumë shtete të përfshira. Që ndodhën edhe trazirat pati edhe viktima më pas dhe kanë dashur me lënë fajin më tepër tek ne se tek ata që e bënë”- theksoi Deliu.

Duke theksuar se ‘shpresa vdes e fundit’, Zaim Deliu dyshon nëse drejtësia do të vihet në vend ndonjëherë për djalin dhe bashkëmoshatarët e tij.

Drejtori i shkollës “Osman Rama”, Enver Hasani, i cili ka përcjellë gjeneratë pas gjenerate në këtë shkollë, të freskët e ka kujtimin për Egzon Deliun, Avni e Florent Veselin, të cilët humbën jetën më 16 mars të vitit 2004.

Ora e gjeografisë e historisë i kishte bërë bashkë Hasanin me këta nxënës sepse asokohe ligjëronte këto dy lëndë anipse i njihte mirë ‘tre engjujt’ sepse ishin të fshatit të njëjtë.

Me lot në sy e plot emocione, drejtori kujton fjalën e Fitimit, djali i cili doli nga lumi dhe shpëtoi.

“Fitimi ka qenë në gjendje të rëndë, se po më rrëqethet trupi, pasha besën! Ka qenë në gjendje të rëndë që nuk mund ta përshkruante ngjarjen qysh ka ndodhë. Po megjithatë e kanë mbajtë edhe në kontrollë të mjekut. Edhe duke i folë, duke u munduar ta bindim se ka qenë akt i kryer prej tyre. Të paktën shyqyr që njëri nga ju ka shpëtuar dhe e ka treguar rastin”- tha Hasani.

Sipas drejtorit, nga momenti kur banorët e Çabrës morën vesh se kanë vdekur tre fëmijët, jetesa në fshat ka qenë e vështirë.

Sepse, siç thot ai, njerëzit kanë jetuar me traumën, ku mbetën, çka po bëhet, a po i gjejmë apo nuk po i gjejmë.

“Deri në mëngjes i kemi gjetur Egzonin dhe Avniun, njërin e kemi gjetur diku rreth orës 23:00 e tjetrin diku rreth orës 7:00 në mëngjes. Ndërsa Florentin s’e kemi gjetur tre muaj. Në mos gabofsha ka qenë një aksion i KFOR-it prej në urë këtu që kanë hyrë Ibrin ta kontrollojnë. Uji ishte ndalë gati krejt dhe nuk ka lënë gur pa rrotulluar në Ibër për ta gjetur edhe fëmijën e tretë”- rrëfeu Hasani.

Të ndjerit, Egzoni, Avniu e Florenti, sipas drejtorit, kanë qenë nxënës të urtë dhe të mirë në mësime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i NATO-s Mark Rutte refuzoi të komentojë paralajmërimin më…