Joseph: Vuçiqi është mashtrues, luan me BE-në, forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën
Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, ka deklaruar se ambicia e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është “një shfaqje”, e cila i mundëson Beogradit të përfitojë fonde nga BE-ja, ndërkohë që Brukseli është i vetëdijshëm për këtë.
Në një intervistë për gazetën gjermane Berliner Zeitung, Joseph tha se Serbia, falë kësaj “sharade”, merr mbështetje financiare nga BE-ja, përfshirë fondet nga plani i rritjes, ndërsa njëkohësisht forcon “partneritetet strategjike” me Rusinë dhe Kinën.
Ai theksoi se Serbia nuk po lëviz realisht drejt BE-së, duke përmendur si shembull progresin e ngadaltë në negociata: për 12 vite si vend kandidat, Serbia ka hapur 22 nga 35 kapitujt, ndërsa Shqipëria ka hapur po aq brenda një viti, dhe Mali i Zi ka arritur të mbyllë 13 kapituj.
“Ironike është se edhe BE-ja e di që kursi i Beogradit drejt saj është një shfaqje, por vazhdon ta financojë vendin. Në këtë mënyrë, BE përdor standarde të dyfishta,” tha Joseph, duke shtuar se Beogradi refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit, por megjithatë vazhdon të marrë mbështetje.
Ai kritikoi edhe gjendjen e demokracisë në Serbi, duke thënë se ajo duhet vlerësuar përmes perceptimit të qytetarëve, të cilët nuk shohin rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre përmes opozitës apo sistemit zgjedhor.
Joseph e krahasoi presidentin serb, Aleksandar Vuciq, me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, duke thënë se të dy kanë ndërtuar sisteme të fuqishme kontrolli autokratik gjatë më shumë se një dekade në pushtet.
Sipas tij, në Serbi ekziston një rrjet i gjerë zyrtarësh që varen nga partia në pushtet, ndërsa një pjesë e popullsisë përfiton nga politikat ekonomike të qeverisë.
Duke folur për mundësinë e protestave të tipit “maidan”, ai tha se analistët seriozë duhet të shmangin këtë term, pasi përdoret nga Beogradi dhe Moska për të diskredituar opozitën. Ai shtoi se ndërhyrjet e vërteta në punët e brendshme vijnë nga Rusia dhe Kina.
Megjithatë, Joseph theksoi se Serbia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, duke shtuar se “nuk mund të bëhet Bjellorusia e Evropës”.
Ai sugjeroi që SHBA, BE dhe NATO duhet të përdorin ndikimin e tyre për ta detyruar Beogradin të zgjedhë qartë orientimin e tij strategjik, ndërsa shtoi se përparimi i Kosovës drejt NATO-s do ta detyronte Serbinë të përballet me realitetin.
Joseph kritikoi gjithashtu lejimin nga Serbia të mediave ruse si RT dhe Sputnik, duke i akuzuar ato për përhapje të propagandës anti-evropiane në rajon.
Sipas tij, përparimi i Malit të Zi përbën sfidë për Beogradin, pasi nxjerr në pah dallimet në orientimin strategjik dhe koston e politikës së balancimit mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.



