Sot nis Panairi i Librit në Lajpcig, BKK paraqet disa botime të Kosovës
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” po merr pjesë në Panairin e Librit në Lajpcig përmes një programi me ngjarje letrare dhe rreth 100 tituj, përfshirë vepra letrare dhe joletrare në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
Panairi i librit në Lajpcig të Gjermanisë nis sot dhe zgjat deri më 22 mars 2026.
Kosova këtë vit paraqitet me gjashtë autorë të letërsisë bashkëkohore shqipe, në dy panele, i pari që mbahet sot flet për letërsinë dhe politikën në rajon, me autoret Jehona Kicaj, Majlinda Bregasi dhe Nerimane Kamberi. Ndërsa në panelin e dytë, nesër, diskutohet për letërsinë e një populli të vogël në kontekstin e literaturës botërore me Arbër Selmani, Eli Krasniqi dhe Meliza Krasniqi.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, do të jetë pjesë e programit te “Traduki”, ku së bashku me autorë të rajonit do të flasë për artin si rezistencë ndaj harresës dhe sfidat e një biblioteke kombëtare nën tronditjet e kryqëzimeve politike.
Që nga viti 2019 Biblioteka Kombëtare promovon vazhdimisht autorët nga Kosova dhe letërsinë shqipe në panairin më të madh dedikuar autorëve në Evropë.





